MKRS hap zyrat në Prizren, thonë se do të jenë më afër kulturës e traditës për t’i mbrojtur ato

MKRS hap zyrat në Prizren, thonë se do të jenë më afër kulturës e traditës për t’i mbrojtur ato

Është mbajtur ceremonia zyrtare e hapjes së  zyrave të Ministrisë, së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në Prizren, raporton Ekonomia Online.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se me hapjen e këtyre zyrave në Prizren, MKRS-ja do të jetë më afër kulturës dhe traditës për t’i mbrojtur ato.

“Sërish Prizreni na u është bashkuar. Kjo është një pjesë e kabinetit tim që tani do të punojnë në Prizren. Në këtë dite dimri, sot kryeqyteti i kulturës merr edhe epitetin administrativ. Pas një rrugëtimi drithërues nga sot MKRS-ja do të jetë afër kulturës e traditës për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Gashi.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai tha se Prizreni është vendi që na përfaqëson më së miri ndërkombëtarisht. Veseli tha se Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie, raporton EO.

“Ajo që do të ndodh pas sot është kjo, prej sot Prizreni do ta ketë qendrën e vet përderisa ky s’do të jetë i vetmi institucion qe do të ketë Prizreni. Sa herë që pyetem nga ndërkombëtarët se cili është vendi që duhet vizituar në Kosovë, unë i them Prizreni, pasi na përfaqëson më së miri, s’ka vende ku vendet jetojnë etnike dhe ndëretnike. Ky qytet është nyje e kombit tonë, nyje e transformimit të një identiteti të ri. Prizreni është interes i një Kosove dhe jo i një partie”, tha Veseli.

Samir Hoxha, shef i kabinetit të ministrit, tha se ky ka qenë një premtim i bërë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilin e mbajti dhe po e bënë realitet.

“Prizreni është simbol që kultivon vlerash origjinale dhe larmi kulturash. Është qendër jo vetëm e kulturës shqiptare , por edhe të gjithë popujve që jetojnë në të, pa dallim përkatësie, nacionale, religjioze apo sociale. Pavarësisht skepticizmit që mbizotëroj gjatë gjithë kësaj kohe zyrat e MKR-së, ost po bëhen realitet dhe po hapen në qytetin e Prizrenit. Kjo është një meritë, përkushtim dhe premtim i mbajtur i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i cili e dha këtë premtim para një viti dhe sot po e bënë realitet”, tha ai./ Insajderi.com