Muja e Halili, djali i ministrit dhe kerret e shtrenjta

Muja e Halili, djali i ministrit dhe kerret e shtrenjta

Inspirimin për emrin e bendit e kanë nga një mitologji e vjetër shqiptare por në realitet funksionojnë në një qytet, miti i të cilit është një rutinë bajate e varur nga zhvillimet politike të mbushura me nacionalizëm.

Kësisoj ata nuk mund të mos ndikohen nga kjo gjendje politike në qytetin e tyre që është pasojë e gjithë asaj çfarë ka ndodhur viteve të fundit.

“Jutbina qenë këngët rapsodike dhe legjendat shqiptare nga vendi ku jetonin Kreshnikët Muja, Halili, Zanat e Malit që me madhështinë e tyre lëviznin edhe shkëmbinjtë nga vendi”, thotë bendi.

Por çka është Jutbina e ditëve të sotme?

“Jutbina e sotme me Kreshnikët e saj Lekë Shala, Aron Dobroshi, Egzon Mustafa, Leotrim Fetahu dhe Dren Nishliu tentojnë që ti lëvizin shkëmbinjtë e barrierave sociale përmes madhështisë se muzikës”, thonë anëtarët e bendit.

Të ndikuar muzikalisht nga hip-hopi, roku alternative, dhe post punku dhe nga ngjarjet e përditshme dhe “legjendat urbane” që ata i kthejnë në vargje me tinguj, arritën ta konkretizonin me incizimin e një albumi që gjithsej ka tetë këngë quhet ‘Xhungël Urbane’.

“Emri i albumit vjen natyrshëm si pasojë e jetesës kaotike në Mitrovicë që është nismëtare e artit dhe muzikës në Kosovë me një traditë në muzikën rok, e paradoksalisht sot qyteti qëndron si mollë sherri mes politikës së dy shteteve dhe ka shpesh konotacion negativ në opinionin e gjerë”, thonë bendi.

Se ndikohen nga realiteti e tregon edhe fakti se ata kanë bërë një këngë që titullohet “Djali i Ministrit” që është inspiruar dhe përmbanë edhe pjesë nga “Dosja e Shefave”, seria e përgjimeve të publikuara në Insajderi, vitin e kaluar.

“Këngët tona janë një kritikë sociale që tenton që mllefin ta shprehin me anë të muzikës dhe energjisë pozitive”, thonë bendi.

Sipas tyre,këngët sikurse “Zbarkimi…”, “Miza”,  “Xhugël Urbane”, “Djali i Ministrit” prekin mentalitetin e përditshëm: prej asaj që ata e quajnë “kulti i mëhallës” e deri tek “kerret e shtrenjta” dhe përshkrimi  i personazheve të kësaj xhungle.

“…Patikat e mia kanë ma shumë milje se kerri yt…” është moto që bendi e përdorë dhe që përcakton temperamentin dhe egon e një të riu I cili jeton në geton e Kosovës.

Kënga‘N’kom o burra‘ shpreh revoltë ndaj degjenerimit politik, por nuk mungojnë edhe këngët e dashurisë si Diellinta fala”/Insajderi.com