Muzeu Etnologjik pritet të kthehet në atraksion virtual

Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë. Monumenti, që për disa vjet radhazi ishte më i vizituari në Kosovë, kishte mbetur jashtë hartës turistike shkaku i keqmenaxhimit të institucioneve.

Muzeu Etnologjik pritet të kthehet në atraksion virtual

Kompleksi i ndërtuar në shekullin XVIII dhe XIX është kthyer te vizitorët. Por, tash në një tjetër format. Atë virtual. Një shëtitje në këto ndërtesa mund të bëhet online falë projektit “Ecja virtuale”, realizuar në vitin 2016. E, në kohën kur disa qytete në Kosovë janë në karantinë për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID19, në këtë formë “Eminxhiku” po synon ta thyejë distancën me vizitorët.

Edhe ky muze, prej 13 marsit, pjesën funksionale e ka mbyllur për shkak të ndalimit të aktiviteteve kulturore. Por tash është sjellë në vëmendje projekti i ideuar dhe zhvilluar nga Petrit Ibrahimi. Përmes pamjeve në 360 shkallë, projekti u mundëson vizitorëve virtualë për të klikuar mbi artefaktet e për të mësuar më shumë për ta, gjersa tingujt në sfond dhe zërat e instaluar në muze në kuadër të projektit “Haptic Space” nga Anyla Berisha sjellin një përjetim të veçantë, raporton Koha.net.

Qasja në të është e lehtë: mjafton që ta vizitoni faqen zyrtare “Muzeu Etnologjik – Ethnological Museum, Prishtinë” në Facebook dhe të ndiqni linkun e postuar në murin e tyre. Shëtitja virtuale ka disa mundësi: brenda odës së burrave vizitorët mund të klikojnë mbi një lahutë për të mësuar se ajo i takon shekullit XX e që është me origjinë nga rajoni i Rugovës, e në të njëjtën kohë të dëgjojnë tingujt e lahutës në sfond. Po ashtu mund të shohin xhubletën që qëndron e ekspozuar në korridor.

Ngjyrat e zeza të saj tregojnë se ishte veshje vetëm për gra të martuara ose të moshuara. Këtë detaj vizitorët mund ta mësojnë nga përshkrimi që paraqitet në këtë hapësirë, ku gjenden edhe dy pushkë të varura në mur, të prodhuara në Prizren në vitin 1878, gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit. Mbrapa nuk mbesin as hapësirat e tjera, ku vizitorët mund të hulumtojnë këtë pjesë të trashëgimisë. Etnologu Bekim Xhemili nga Muzeu Etnologjik ka thënë se kanë vendosur që të rikthejnë në vëmendjen e vizitorëve projektin “Ecja virtuale”, për t’u qëndruar afër gjatë këtyre ditëve të vetizolimit.

“Duke marrë parasysh se edhe muzetë e tjerë e galeritë nëpër botë kanë filluar me vizita të tilla virtuale, edhe ne e kemi parë të nevojshme që ta vendosim këtë projekt në faqe të muzeut, ani pse nuk është projekt i yni por i CHwB-së, i realizuar në vitin 2016”, ka thënë ai.

Më herët, sipas tij, i njëjti projekt nuk ishte promovuar nga muzeu, pasi që nuk ishte parë si diçka e nevojshme. Ka thënë se atëherë njerëzit kanë pasur mundësinë që ta shihnin ekspozitën, ani pse një vit pas realizimit të projektit ekspozita kryesore është e mbyllur për shkak të restaurimeve. “Është diçka e mirë pasi që faktikisht objekti i shekullit XIX është ekspozita kryesore, ‘Jeta në Kosovë prej shekujve XV-XVI deri në shekullin XX’, prezantohet cikli i jetës dhe është shumë mirë pasi që shoqërohet edhe me muzikë e informacione dhe njerëzit mund ta shohin duke qëndruar në shtëpi”, ka thënë ai.