Muzeu i Luvrit, çelet ekspozita në nder të Da Vincit, shiten online 260 mijë bileta

Muzeu i Luvrit, çelet ekspozita në nder të Da Vincit, shiten online 260 mijë bileta

Muzeu i Luvrit në Francë, shtëpi e Mona Lisës së Leonardo Da Vincit, ka hapur dyert për publikun me ekspozitën në nder të 500 vjetorit të vdekjes së mjeshtrit Italian.

“Kam ardhur këtu për Leonardon. Mendohet se kjo do të jetë ekspozita më e madhe e çelur ndonjëherë me punimet e tij”, thotë Alan, një turist amerikan.

Ai ka të drejtë. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 24 shkurt të vitit të ardhshëm dhe pjesë e saj janë 160 piktura, skulptura, letra dhe vizatime nga periudha e Rilindjes. Disa prej punimeve janë vizatuar nga vetë Da Vinci, disa nga artistë të tjerë por janë bërë pjesë e të njëjtës ekspozitë me punimet e mjeshtrit Italian.

Përpara çeljes së ekspozitës, organizatorët thonë se janë shitur online 260 mijë bileta.

“Mendoj se është absolutisht e jashtëzakonshme. Në shkollë na flasin shumë për Leonardo da Vincin dhe të shohësh punimet e tij, është fantastike”, thotë francezja Aurelie.

Pjesë e ekspozitës nuk do të jetë e famshmja Mona Lisa, e cila shihet çdo ditë nga më shumë se 30 mijë vizitorë dhe kjo për shkak të frikës nga mbipopullimi brenda në muze.