Shënon banori - Përfiton ambienti

Në fshatin Koshare të Ferizajt hedhja e mbeturinave rikthehet në sport

Mos tentoni shumë për tri pikë, mundohuni ta ngulitni.

Në fshatin Koshare të Ferizajt hedhja e mbeturinave rikthehet në sport

Një projekt jo i zakonshëm dhe shumë kreativ është realizuar në fshatin Koshare të komunës së Ferizajt, njofton Insajderi.

Disa banorë të këtij fshati, kanë vendosur shporta të bërllokut në formë të rrethit dhe tabelës së basketbollit në të gjitha rrugët, përgjatë fshatit të tyre.

Ishte asamblisti i komunës së Ferizajt, Amir Rexhepi, ai që këtë iniciativë e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook.

Insajderi e ka kontaktuar Rexhepin për të marrë më shumë detaje rreth kësaj iniciative.

“Në fakt është një ide e përbashkët e disa nga banorëve të fshatit, ide e cila menjëherë gjeti edhe përkrahje financiare brenda fshatit”, ka deklaruar ai.

“Ideja dhe qëllimi i vendosjes së këtyre shportave kreative, është që të nxisim banorët dhe kalimtarët, që t’i mbajnë më të pastër ambientet e fshatit tonë.

Shpresoj që kjo sado pak do të bëjë atraktive hedhjen e mbeturinave aty ku e kanë vendin, në shporta të bërllokut” tha Rexhepi për Insajderi.

Pastërtia është një nga gjërat më esenciale në një shoqëri dhe mbajtja e saj, përveç ambientit më të mirë për sy, sjellë edhe të mira shëndetësore.

Prandaj, kjo iniciativë është përshëndetur dhe pritur shumë mirë nga banorët e fshatit./Insajderi.com