Në kampin fashist të Prishtinës

Në kampin fashist të Prishtinës

Nga Bujar Poçari dhe Zenel Anxhaku

  1. Abdulla Adem Kastrati
  2. Abdurahman Duro Abibi
  3. Aleksandër Pandeli Jorgoni
  4. Anastas Miti Konomi
  5. Avni Emin Bejgo
  6. Beqir Caca (Cane)
  7. Bilal Sherif Gonxholli
  8. Cen Cuf Broja
  9. Dhimitër Ilo Dunga
  10. Dhimitër Koçi
  11. Dhimitër Mema
  12. Enver Hamit Velaj
  13. Enver Trebishti
  14. Faik Bajrami
  15. Faik Rexhep Pahia
  16. Faslli Rexhep Zogu
  17. Fiqiri Osman Begeja
  18. Foni Thoma Keko
  19. Gjikë Kol Kuqali
  20. Grigor Dunga
  21. Haki Selim Shehi (Shehu)
  22. Halil Hysen Lapi
  23. Hamdi Rrapi
  24. Hamza Sali Shehi (Shehu)
  25. Harallamb Thanas Papa
  26. Hasan Zeneli
  27. Hektor Ibrahim Shyti
  28. Hysen Haki Beqiri
  29. Hysen Mustafa Koxheri
  30. Hysen Mustafa Palluqi
  31. Ibrahim Fishta
  32. Ibrahim H. Ishmi
  33. Ibrahim Halil Hasmema
  34. Ilia Baulli (Balliu)
  35. Ilia Gjylbegu
  36. Ilia Thimi Kote
  37. Irfan Rifat Tomini
  38. Kasem Mahmut Balluku
  39. Kiço Kostandin Dukolli
  40. Kostantin Pavllo Mema
  41. Kozma Filip Andrea
  42. Kristaq Andon Boshnjaku
  43. Kristaq Pavllo Mema
  44. Lame Thoma Koleta
  45. Ligor Ilo Dumga (Duka)
  46. Ligor Tingo
  47. LLukan Dhimitër Stefani
  48. Loni Lili Papuçiu
  49. Luçi Pilo Gollani
  50. Manol Pano Basho
  51. Murat Destan Murati (Sulaj)
  52. Muhamet Ismail Tufa
  53. Muharrem Bajram Lami
  54. Muharrem Riza Gjashta
  55. Musa Myftar Ceno
  56. Musa Zija Agolli
  57. Myftar Hysni Sevrani
  58. Namik K. Gjergjani
  59. Nasho Duro
  60. Nevruz Sherifi
  61. Niko Lili Avrami
  62. Oresti Aristotel Dilo
  63. Osman Hasan Muaxhiri
  64. Osman Xhiza (Axhika)
  65. Panajot Biri (Bitri)
  66. Panajot Mança
  67. Pandi Dhiogjen Bode
  68. Pandi Z. Foti
  69. Pilo Polo Noti
  70. Qazim Fetah Llazani
  71. Ramazan Sadik Shijaku
  72. Ramazan Shaban Farka
  73. Reshit Rakip Mustafa
  74. Sabaudin Minxholli
  75. Sadik Murat Petrela
  76. Sejfulla Ram Ahmetaj
  77. Shaban Ibrahim Jegeni
  78. Shaban Kadri Çelaj
  79. Shaban Tahir Kurti
  80. Shaban Zeneli
  81. Shaqir Xhemal Metani
  82. Shefqet Sulejman Haxhiaj
  83. Shyqyri Isa Toska
  84. Shyqyri Xheladin Bushati
  85. Shyqyri Xhemal Greblleshi
  86. Shyqyri. Qemal. Bilbili
  87. Skënder Skëndo
  88. Sotir Shani
  89. Spiro Postol Velko
  90. STefo Sokrat Guraj(Curri
  91. Tajar Fejzulla Guranjaku
  92. Tajar Maliq Mitarja
  93. Tasim Riza Shehi (Shehu)
  94. Theodhor Açiçi (Asisi)
  95. Vasil. Theodhor Papingji
  96. Vasil Ilo Tela
  97. Vasil Llambi
  98. Venedik Izet Hoxha
  99. Vesel Kapinova
  100. Vesel Shefik Dyrko
  101. Xheladin Sadik Fishta
  102. Xhemal Abeshi
  103. Xhemal Osman Mema
  104. Xhemal Riza Bushati

Por cili kish qenë kalvari dhe qëndresa e tyre deri natën e pushkatimit? – Këtë na e jep në kujtimet e tij Veterani i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe një nga ish të internuarit në këtë kamp famëkeq, Myfit Poçari.

Drejt kampit të vdekjes me këngë

Ishte ushti i vitit 1944, kishte filluar kthesa e luftës dhe Gjermanët ishin nën goditjen e forcave aleate jashtë vendit dhe të forcave partizane në të gjithë territorin e vendit tonë. Në kampet famëkeqe të shfarosjes në masë, ata vazhdonin të sillnin robërit e luftës dhe të dënuarit në burgjet e fashizmit. Të udhëhequr nga kjo praktikë më 26 gusht të vitit 1944, gjermanët morën nga burgu i Tiranës mbi 92 të burgosur politikë dhe atdhetarë. Këta iu dorëzuan atyre nga Xhelal Staravecka e Mark Berisha, që ishin përkatësisht, i pari komandant i xhandarmërisë dhe i dyti drejtor i burgut. Këtë veprim gjermanët e bënë pa lënë asnjë dokument zyrtar.

Lajmi për internimin e të burgosurve ishte përhapur me shpejtësi në të gjithë qytetin. Në hyrje të burgut ishin grumbulluar shumë qytetarë, nënat, baballarët, gratë, fëmijët, motrat, vëllezërit, e të afërm të tjerë të të burgosurve, që kishin ardhur për t’i përcjellë ata, ndoshta për të fundit herë. Atmosfera ishte e dhimbshme. Dhimbje që shprehej në fytyrat e fjalët e tyre drejtuar bijëve e bijave, që armiku barbar po i shkëpuste tashmë edhe nga gjiri i Atdheut për t’i çuar kushedi se ku, larg tij. Po krahas dhimbjes u manifestuan edhe qëndrime burrëror, si nga të burgosurit ashtu edhe nga qytetarët. Dëgjoheshin parulla të tilla si: Rrofshin djemtë tanë, vdekje fashistëve! Dhe kur u ndezën motorët e makinave, fjalët e fundit ishin: Qëndroni si burrat. U pafshim shëndoshë në Shqipërinë e lirë! Ndërkohë të burgosurit filluan të këndojnë këngë patriotike, këngë, të cilat vazhduan pavarësisht nga sharjet dhe goditjet e gjermanëve.

Të përcjellë me këto fjalë mes duarve që zgjateshin drejt nesh dhe oshtimës së këngëve, autokolona e blinduar me ushtarë e oficerë gjermanë, që ndodheshin në çdo makinë, por edhe në krye e në fund të saj, nisi të lëvizte duke çarë errësirën e natës për në një drejtim të panjohur, diku në Jugosllavi, Gjermani apo Austri.

Lëvizja u krye në itinerarin Tiranë- Shkodër- Vau i Dejës- Pukë- Fushë Arrëz – Kukës- Prizren- Prishtinë. Kjo rrugë u bë për 3 ditë. Ditën e parë mbasi kaluam qytetin e Shkodrës, autokolona u ndalua dhe ne na zbritën e na futën në një kishë që ndodhej pranë rrugës. Zbritja nga makina dhe futja në kishë u shoqërua me sharje dhe goditje me kamxhik, sikur të ishim kafshë. Njërin nga të internuarit kamxhiku e goditi në kokë duke i thyer syzet, fytyra e tij u mbulua e tëra me gjak. Shokët që ishin pranë e ngritën dhe duke e mbajtur nga krahët e futën brenda në kishë.  Si u siguruan që të gjithë të internuarit ishin brenda, gjermanët na mbyllen derën, por pa pyetur për nevojat tona jetësore.

Më kujtohet se si pas disa orësh, kur sapo kishte filluar të errësohej, një nga të internuarit, për nevoja personale donte të dilte jashtë ,por roja gjermane nuk i hapte derën. I internuari ishte fetar dhe e konsideronte mëkat të ndynte në kishë, ndaj me insistim kërkonte të dilte jashtë duke i rënë me force derës. Nga jashtë u dëgjuan të folura në gjuhën gjermane dhe nuk kaloi shumë kohë e dera u hap. I burgosuri u mundua të shpjegohej, por gjermanët e nxorën atë jashtë dhe e ekzekutuan në vend. Ndërkohë që dy prej tyre e tërhoqën atë zvarrë, të tjerët duke sharë e mbyllën përsëri derën e kishës.

Një ndjenjë keqardhje për shokun e pushkatuar dhe urrejtje për armiqtë e pashpirtë, na pushtoi të gjithëve sa ishim brenda. Ndodheshim në kushte të disfavorshme e s’ kishim ç’të bënim. Çdo tentativë për kundërveprim do të përfundonte me asgjësimin tonë. E vetmja gjë ishte t’i jepnim kurajo njëri-tjetrit.

Kampi famëkeq

Në agimin e ditës së tretë autokolona  u ndal në Qytetin e Prizrenit. Qytetarët na përshëndetnin me duar dhe ne ua kthenim përshëndetjen me duar dhe me fjalët: VDEKJE FASHIZMIT! Me tu ngrysur ,autokolona u nis përsëri dhe afër mesnatës ajo u ndal në periferi të një qyteti, dritat e të cilit dallonin nga larg, ishte Prishtina. Kjo ishte ndalesa e fundit, kishim mbërritur në kampin e internimit të Prishtinës. Ky kamp ishte në periferi të qytetit, i rrethuar me disa gardhe telash me gjemba, i organizuar në mënyrë të tillë që çdo tentative për të ikur, të përfundonte me asgjësim të plotë.

Në kamp të internuarit mbaheshin në kapanone prej dërrase të ndërtuara apostafat. Kapanonet ishin të ndara në dhoma, ku në secilën prej tyre mbaheshin 40-50 vetë. Në këtë kamp të internuarit ishin nga nacionalitete të ndryshme, shqiptarë, italianë, jugosllavë, grekë, çifutë etj. Bëheshim mbi 1000 vetë.  regjimi në kamp ishte monoton. Në mëngjes çoheshim nën ulërimat e kujdestarëve e të gjermanëve që nuk u mjaftonte kjo, por përdornin edhe kamxhikun. Më pastaj rreshtimi, gjimnastika, punë, e përsëri punë, sa herë që kishin nevojë gjermanët. Ushqimi ishte sa për të mbajtur frymën gjallë. Pak bukë, në mëngjes lëng tagjie dhe në drekë e në darkë, lëng gruri. Të internuarit shfrytëzoheshin për punë të ndryshme dhe kur nuk kishte punë, na rraskapitnin me gjimnastikë të stërzgjatur, ku disa nga lodhja humbnin  ndjenjat e rrëzoheshin për tokë.

Ushqime dhe cigare “që binin nga qielli” në rrugët e Prishtinës

Në një rast mua dhe disa shokët e mi na çuan për të punuar tek stacioni i trenit të Prishtinës. Këtu na futën të punojmë si kuaj, duke na detyruar të tërheqim karrocën. Shkarkohej treni që vinte nga Greqia. Mallrat ishin pako ,që oficerët dhe ushtarët gjermanë, nisnin për familjet e tyre në Gjermani. Ato futeshin nëdisa magazina që ndodheshin larg stacionit. Çdo karrocë tërhiqej nga dy të internuar, atë e shoqëronin ushtarët gjermanë të armatosur, por që mbanin në dorë edhe një kamxhik. Qytetarët e Prishtinës,që kalonin rrugës na shikonin me keqardhje dhe shprehnin urretje për armiqtë. Ata tinëz vendosnin buzë rrugës diku një copë bukë, diku ndonjë paqetë cigare etj. Ne, në ecje e sipër, afroheshim anës rrugës dhe po tinëz i merrnim këto dhurata, të cilat pastaj i ndanim me shokët në kamp.

Kur gjermanët na pikasnin ,na godisnin me kamxhik duke na përcëlluar duart e asgjësuar ushqimet e mara. Më kujtohet një rast, kur unë, ndërkohë që po ju ndaja shokëve cigaret e sjella nga jashtë, u pikasa nga gjermanët.Këta jo vetëm i mblodhën të gjitha cigaret,por vendosën të më ndëshkojnë në mënyrë shembullore. Pasi i rreshtuan shokët e mi, mua më shtrinë në një stol, që ndodhej në oborrin e kampit dhe urdhëruan të më jepnin 100 shkopinj. Ushtari gjerman që godiste ,nuk e kursente dorën. Po numëroja me shpirt nëpër dhëmbë çdo goditje. Më kujtohet që arrita të numëroj deri në goditjen e 44-të, më pastaj më kishte rënë të fikët.

Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në kapanon në vendin tim të fjetjes. Mbi krye qëndronte shoku im Ramazan Kruja, i cili mundohej të më qetësonte dhimbjet.

Si strukturuam brenda kampit ,batalionin që do ta vinim në veprim.

Në kamp ne ishim të organizuar në skuadra, kompani e batalion. Pra, të gatshëm që me shpërthimin e kampit ne të mos ktheheshim në shtëpi, por të vazhdonim luftën kundër gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre. Komandanti i batalionit tone ishte Luigj Filipi, një djalë energjik nga qyteti i Shkodrës, i cili në këtë kamp ishte  me të vëllain e tij, Mark Filipin e të fejuarën. Unë kisha detyrën e komisarit të kompanisë së parë.

Kjo strukturë ushtarake brënda kampit,funksiononte duke kryer ato detyra, që lejonte situata konkrete në të cilën ndodheshim. Kështu ajo, nëpërmjet xhandarëve shqiptarë që punonin në kamp, mbante lidhje me njësitet ilegale, që vepronin në qytetin e Prishtinës e rrethinat e tij. Studionte çdo mundësi për daljen e të internuarve nga kampi.

Në kamp kishte të  internuar edhe nga nacionalitete të tjera. Midis tyre ishte edhe një çifut i ashtuquajturi Gospodin Filipi, i cili në rolin e sekserit, shfrytëzohej nga komandanti i kampit për të ndërmjetësuar me të internuarit dhe kundrejt 20 monedhash floriri i lironte ata, por pa dokumente.

Në këtë rast komanda e batalionit organizoi një fushatë për grumbullimin e monedhave të floririt që mund të kishin të internuarit, por edhe që mund t’u sillnin të afërmit. Këto florinjë ruheshin me fshehtësi. Intendenti i caktuar përmbajtjen e tyre, i kishte fshehur ato në rripin e pantallonave, që ishte me dy shtresa. Këto në një rast u përdorën për të nxjerrë tre nga shokët tanë, të cilët dolën me detyrë për të gjetur e sjellë në kamp flori e për të nxjerrë të tjerë shokë nga kampi.

Nata e Shën Bartolomeut me 104 të pushkatuar

Trupat gjermane,të ndodhur nën goditjen e pandërprerë të forcave partizane e në pamundësi për t’i neutralizuar ato, hakmerreshin ndaj popullsisë së pambrojtur duke bërë reprezalje. Me këtë lidhet edhe ngjarja e 23 Tetorit 1944.

Forcat partizane kishin dhënë goditje të njëpasnjëshme në rrugëkalimin Kukës- Prizren, ku gjermanët kishin pësuar humbje të mëdha. Si hakmarrje ndaj kësaj disfate, komanda gjermane kishte vendosur të pushkatonte 104 të internuar në kampin e Prishtinës.

Dy ditë më parë në fshehtësi, natën, gjermanët morën një grup të internuarish italianë e jugosllavë dhe i dërguan të punonin për të hapur një gropë të madhe pranë kazermave, që ishin në periferi të kampit. Ata kishin dhënë porosi ,që për këtë të mos hapej goja. Por me tu kthyer nga kjo punë, i internuari italian Gildo, fshehurazi e duke rrezikuar veten, erdhi në dhomën tonë e na njoftoi për këtë veprim të gjermanëve, që paralajmëronte diçka të keqe.

Ne u mblodhëm ,e analizuam informacionin dhe porositëm të gjithë shokët që të ndiqnin me kujdes çdo veprim të mëtejshëm të gjermanëve, pa rënë pre e provokacioneve e pa kaluar në panik.

Të nesërmen e hapjes së gropës, gjermanët rreshtuan të gjithë të internuarit në oborrin e kampit dhe nën vëzhgimin e forcave, administrata e kampit filloi një apel të pazakontë. Lexohej një emër dhe i internuari që pohonte ,nxirrej mënjanë. Kalohej një emër dhe ndonjëherë dy emra pa u lexuar, emri që vinte më pas, lexohej e ky person nxirrej përsëri mënjanë. Kështu vazhdoi derisa u kalua në fund të listës.

Të internuarit e nxjerrë mënjanë u numëruan. Kjo shifër iu raportua hierarkëve, të cilët urdhëruan që apeli të bëhej edhe njëherë nga fillimi, po në të njëjtën mënyrë. Si duket nuk ishte plotësuar akoma shifra 104. Kur kjo shifër u arrit, apeli u ndërpre.

Shokët e ndarë mënjanë, i futën në një kaush të veçantë shumë të vogël, aq sa ata me vështirësi arrinin të ngrinin duart, për të na përshëndetur. Ndërsa ne, na urdhëruan të futeshim aty ku kishim qenë më parë. Menduam se kjo ndarje, do të ishte bërë  për t’i çuar ata në ndonjë front pune të ri. Por edhe mendimi për ndonjë veprim ogurzi na shkonte, nga gjermanët mund të prisje çdo gjë.

Do të duhej të vinte mesi i natës i asaj dite, që ne të mësonim se shokët tanë i kishin ndarë për t’i pushkatuar. Ajo gropë e hapur një ditë më pare, qe përgatitur për ta.

Pranë kapanonit u bënë dy rreshta me gjermanë dhe në krye të tyre prisnin makinat. Dera e kaushit u hap, gjermanët dy e nga dy rrëmbenin të internuarit dhe pasi i zhvishnin në një dhomë aty pranë, i hipnin në makinën që priste në dalje të kampit.

Ne të gjithë ishim mbërthyer brenda derës së kapanonit tonë dhe nga të çarat e saj, ndiqnim me sy tragjedinë që po ndodhte me shokët tanë, të cilët nuk do t’i takonim më kurrë. Por megjithatë në pamundësi për tu ardhur në ndihmë, filluam të hedhim parulla e të këndonim këngë patriotike për t’i ngritur ata moralisht. Gjithë kampi oshtinte.

Shokëve tanë u takonte të kalonin para derës sonë. Në një moment, njëri prej tyre, duke kaluar lëshoi ngjitur me derën tonë xhaketën, të cilën ata që ishin pranë derës e tërhoqën menjëherë. Në astarin e asaj xhakete ndodhej organizimi i batalionit tonë. Një gjest ky i moralit të lartë të shokut tonë, që edhe në momentet e fundit, kishte forca të mendonte për atë që i ishte besuar.

Të ndodhur përpara një situate të tillë, nga disa të internuar, u mor iniciativa dhe u ça tavani i dhomës ku ishin dhe nëpërmjet tij, u bë kalimi në dhomën tonë. Ky veprim u diktua nga gjermanët, të cilët për një moment i ndërprenë veprimet dhe pasi hapën derën e dhomës sonë, kërkuan me insistim të dilnin të larguarit. Xhandari shqiptar me emrin Veli, që ishte vegël e gjermanëve, përktheu fjalët e kapos gjermane:- Nxirrni të ardhurit, se ndryshe do t’ju vrasim të gjithëve.

Asnjë hap nuk u bë përpara. Gojë më gojë u përhap parrulla, “O të gjithë, o asnjë”! Atëherë gjermanët të vendosur në krimin e tyre, shkuan nga fundi i dhomës dhe morën 3 të internuar, që iu kapi dora. Midis tyre vetëm njëri ishte nga të ardhurit.

I paharruar do të mbetet qëndrimi i shokut tonë të luftës, Musa Agolli, që e përbuzi vdekjen, duke thirrur:- Shokë, lamtumirë, na merrni hakun, luftoni shokë sa të jeni gjallë, copëtojeni fashizmin! Dhe u përlesh me ta derisa oficeri gjerman ,që drejtonte këtë masakër, e qëlloi me automatik në pragun e kapanonit dhe ai ra për të mos vdekur kurrë.

Arratisja jonë spektakolare dhe ndihma e familjes kosovare

Gjatë gjithë kohës që ne ishim në kampin e Prishtinës, na shoqëronte ideja e shpërthimit të kampit dhe e arratisjes prej tij në mënyrë të organizuar, por edhe individualisht në çdo moment të volitshëm.

Për ca kohë, unë dhe dy shokët e mi u caktuam të punonim në spitalin e kampit. Detyra që kryenim ishte të pastronim dyshemetë dhe ambientet e tjera të spitalit. Ne, duke studiuar situatën, arritëm në përfundimin se atje ekzistonte mundësia për tu arratisur. Kjo për faktin se uji që duhej për larje, mbushej jashtë telave tek shatërvani, ku mbushnin edhe banorët aty afër. Nga ana tjetër, ishin vënë re se, si roja e kullës të vrojtimit, ashtu edhe ushtari gjerman që na shoqëronte, nuk ishin shumë të vëmendshëm.

Kam treguar edhe më sipër, në kamp shërbenin edhe disa xhandarë shqiptarë, midis të cilëve kishte dhe nga ata, që ishim të gatshëm të na ndihmonin. Njëri prej tyre, me porosinë tonë na solli tre qeleshe, që do të na shërbenin për maskim gjatë arratisjes.

Një ditë në drekë, ne morëm vendim që të realizonim arratisjen. Në kohën e drekës rreth orës 13. 00 ne duhej të mbushnim ujë. Morëm bidonin e madh dhe u nisëm drejt shatërvanit, pas na erdhi edhe një shok tjetër, i cili e dinte qëllimin tonë dhe vendosi të përballonte pasojën e kësaj iniciative. Duke mbajtur të tre bidonin ju afruam shatërvanit, roja gjermane na ndiqte me shikim. E vendosëm bidonin nën sylinë dhe ai po mbushej, rreth shatërvanit kishte dhe qytetarë.

Ndërkohë me bisht të syrit shikonim rojën dhe kur për një moment vumë re se ai e humbi vëmendjen drejt nesh, rrëshqitëm nëpër grumbullin e njerëzve dhe u futëm në një rrugicë aty pranë. Akti i arratisjes u realizua. Tani duhej të maskoheshim, të fshiheshim dhe të zhvendoseshim sa më larg kampit. Nga gjiri nxorëm qeleshet dhe i vendosëm në kokë. Tani dukeshim si kosovarë, banorë të lirë të qytetit.

Por shpejt u dëgjuan krismat e automatikut, roja kishte pikasur që ne nuk ishim pranë bidonit dhe kish dhënë alarmin. Përveç krismave të automatikut, u dëgjuan edhe uturimat e triçikëlve gjermanë. Ata u vunë në kërkimin tonë. Një nga triçiklet kaloi në rrugicën, ku ishim ne. Ata nuk na vunë re. Qeleshet kishin bërë punën e tyre.

Në këto kushte ne nuk mund të qëndronim gjatë nëpër rrugët e Prishtinës, duhej patjetër të strehoheshim diku. Prandaj vendosëm të futeshim në një shtëpi, të cilin e gjykuam nga jashtë se mund të banohej nga njerëz të mirë e shqiptarë. Vendosëm t’i paraqiteshim drejt se kush ishim dhe se kërkonim besë të shqiptarit. Shtëpia ku u futëm, kishte një avlli të vogël të rrethuar me mure të lartë. Nga avllia hymë direkt e brënda shtëpisë, ku gjetëm dy pleq e një vajzë, ishin shqiptarë.

Ndërkohë që ne po shpjegoheshim se kush ishim dhe se kërkonim besë të shqiptarit, vajza kishte ikur nga sytë tanë e ishte larguar. Kjo na shqetësoi, por prapë nuk u larguam, se na u duk si vendstrehimi më i përshtatshëm. Kur pyetëm pleqtë se për ku duhet të jetë larguar vajza, ata na u përgjigjën se mund të ketë shkuar tek i fejuari i saj, një farmacist nga Elbasani, që kishte ardhur me punë në Prishtinë.

Kishin kaluar mjaft orë nga moment i arratisjes. Mbi Prishtinë po binte nata. Largimin e vajzës po e përjetonim me shqetësim. Mos vallë ka shkuar të na kallëzojë! Por në çast dëgjuam hapa, shikuam njëri tjetrin. Hapat ishin të lehtë, jo këpucë të rënda të milicisë. Nga jashtë dëgjuam zërin e të fejuarit të vajzës, që u drejtohej pleqve të hapnin derën se ishte ai me vajzën e tyre.

U qetësuam dhe pasi u prezantuam me të sapoardhurin, që na u duk njeri i mirë, i treguam se nuk do të qëndronim gjatë, që do të largoheshim po atë natë. Por ai duhet të kërkonte e të takonte mikun tonë ,që na kish sjellë qeleshet, i cili do të na nxirrte jashtë qytetit. Farmacisti Elbasanas nuk e zgjati shumë,  i mori të dy pleqtë e të fejuarën e tij dhe u largua me premtimin, se porosinë do ta kryente.

Orët na dukeshin të gjata, ishim në pritje e mendonim se si do të vepronim për çdo situatë. Pak pas mesnate, në oborr dëgjuam këpucë të rënda. Menduam se do të ishim tradhtuar, por zëri i mikut tonë, që kish ardhur veti i dytë na qetësoi. Ai, pasi u përshëndet me ne dhe shprehu gëzimin që ishim arratisur nga kampi, na tha se nuk kishte kohë për të humbur, por duhej të lëviznim.

Rrugët e Prishtinës natën patrulloheshin nga gjermanët, ne duhej t’i anashkalonim ata, ndryshe ishim të asgjësuar. Filluam lëvizjen, Miku ynë me shokun e tij përpara dhe ne sipas sinjaleve pas tyre. Kështu lëvizëm nga shtëpia në shtëpi, nga rruga në rrugë. Qetësinë e natës prishtinase herë pas here e prishnin këmbët e rënda të patrullës naziste dhe fjalët: -Alt! Me durim dhe guxim të përbashkët arritëm më në fund të dilnim nga qyteti.

Miku ynë e kreu deri në fund misionin e tij. U përshëndetëm  me të dhe shokun e tij, që tashmë u bë edhe shoku ynë dhe sipas një orientimi të marrë, vazhduam të rrëshqasim nëpër kodrinat për rreth Prishtinës për në shtabin partizan Kosovë- Metohi, për tu bashkuar më pastaj me partizanët e Divizionit të V-te Sulmues të Ushtrisë Nacional- Çlirimtare shqiptare, me komandant Rrahman Parllakun e komisar Ramiz Alinë.

Ky divizion, ku unë mora detyrën e shefit të ndërlidhjes, i ndoqi gjermanët me luftime frontale deri në Novi-Varosh e Priboj në Bosnjën Jugore.

Qëndresën heroike të të internuarve në kampin famëkeq tëPrishtinës, midis të cilëve ishin dhe shumë gra e vajza shqiptare, që kishin rrëmbyer armët për lirinë e Atdheut, i ka përshkruar mjaft mirë shkrimtari dhe ish i internuari në këtë kamp, Kin Dushi, në librin e tij, “Në Gojën e Ujkut”.