Një nga manifestimet më të rëndësishme sot në Kosovë, e që ka qëllim promovimin e kulturës dhe traditës vendore, festivali “Hardh Fest” vjen sivjet në muajin gusht. Me aktivitete të shumta, për tre ditë me radhë, 16, 17 dhe 18 të këtij muaji,
“Konaku” i Rahovecit pritet të jetë plot vizitorë të cilët do të mund të mësojnë më shumë për vreshtarinë, e edhe do të shijojnë muzikë nga performues të ndryshëm botëror, përcjellë me lojëra e aktivitete të shumta, që tashmë janë tradicionale në festivalin e vjeljes së rrushit.
Hardh Fest, organizim që mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, synon promovimin e rajoneve vreshtarë të Kosovës.
Sivjet, në edicionin e 18 si festival i vjeljes së rrushit, dhe të pestin si i brenduar Hardh Fest, mbahet në muajin gusht, meqë organizatorët kanë pasur shumë kërkesa nga bashkatdhetarët që festivali të jetë në këtë periudhë.
Gardalin Shtavica, drejtor artistik në Hardh Fest, thotë se çdo gjë është gati për nesër.
“Ne si festival ndoshta më tepër kontribuojmë në promovimin e verës, promovimin e rrushit të Rahovecit, promovimin e vet qytetit të Rahovecit. Ne si qëllim e kemi po ashtu promovimin e turizmit në Rahovec, se zakonisht jemi mësuar që festivalet e mëdha të mbahen në vende të mëdha si Prishtina e Prizreni, ndoshta ka qenë befasi që në Rahovec, por ka qenë shumë tërheqës për njerëzit që me ardh në një vend pak më ndryshe”, thotë ai.
Ruajtja e traditave dhe zakoneve që lidhen me vreshtarinë dhe etnologjinë, shihet më së miri në Rahovec, sidomos në kohën e këtij festivali.
Një mikpritje e rrallë, nën hijen e vreshtave, u bëhet të gjithëve që vizitojnë Rahovecin, dhe interesohen për kulturën e këtij vendi.
Sivjet, Hardh Fest organizon edhe minimaratonën, si fushatë vetdijësuese, në bashkëpunim me shoqatën e fëmijëve me fibrozë cistike.
E një e veçantë tjetër për këtë edicion, përveç muzikës së mirë, është që të gjithë Dj do të jenë femra.
Paraqitja kryesor në HardhFest do të jetë nga artisti Ronnie Romero, vokalist i grupit Rainbow.
Sivjet, për Hardh Fest, Komuna e Rahovecit ka ndarë 15 mijë euro.
Kryetari Smajl Latifi thotë se janë shumë të interesuar që të rritet mbështetja për këtë festival, që siç thotë ai është shumë i rëndësishëm.
“Edhe Komuna e Rahovecit është jashtëzakonisht e interesuar që ta rritë në vazhdimësi mbështetjen për këtë festival sepse aty jo vetëm që ekspozohen vlerat tona kulturore, të trashëgimisë, prodhuesit tanë po ashtu kanë mundësi që të krijojnë shumë kontakte komunikimi me vizitorë të ndryshëm, është një ngjarje që po marrin pjesë shumë njerëz, pra aty kur marrin pjesë mijëra qytetarë nga vise të ndryshme të Kosovës, nga Rahoveci por edhe jasht Kosovës, atëherë paramendoni sa vlerë të madhe ka për komunën tonë dhe sa është e rëndësishme kjo ngjarje për një komunë të mesme siç është komuna e Rahovecit, që ka vlera të jashtëzakonshme edhe kulturore edhe të trashëgimisë”, thotë ai.
Kjo ngjarje është mundësi e mirë për ata që merren me vreshtarinë.
Një nga mbështetësit tradicional të Hardh Fest, që është edhe Sponsor i Artë, është Bodrumi i Vjetër, një verari me kapacitet prej 5 milionë litra të përpunimit të verës dhe rakisë në vit.
Fidan Haxhijaha tregon se Hardh Fest ka rëndësi të veçantë për Bodrumin e Vjetër, këtë verari e cila 80 për qind të përpunimit e dërgon në eksport në tregje të ndryshme, e 20 për qind në tregun vendor.
“Ne si kompani i kushtojmë një rëndësi, jashtëzakonisht të madhe promovimit, dhe si kompani jemi promovuar dhe promovohemi diku në 10 panaire jashtë Kosovës çdo vit, disa prej tyre përkrahën edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, mirëpo ky festival ka një domethënie të veçantë për ne, për faktin se kjo faktikisht llogaritet shtëpia jonë, dhe të gjithë partnerët që ne I ftojmë për ta vizituar këtë festival , kanë mundësi që të njihet për së afërmi rreth vreshtave të Rahovecit, rreth sistemit si ne përpunojmë verërat këtu, fillimisht bëjmë një tour në verari, njoftohemi drejtpërdrejt rreth procesit dhe pastaj kur dalin në festival e shohin që sektori i verës ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm sidomos këto dy tre vitet e fundit, na gëzon fakti që çdo partner del i kënaqur pasi përfundon festivali”, thotë ai.
Festivalin e përkrahin shumë prodhues vendor, në mesin e tyre edhe Bodrumi familjar “Daka Wine”.
Gazmend Daka thotë se përmes këtij festivali i bëhet një promovim i madh Rahovecit dhe gjithë Kosovës.
“Ne si Bodrum jemi prej fillimit në Hardh Fest, prej kur ka filluar festial i rrushit nën patronatin e presidentit Rugova. Atëherë ka qenë një festival I vogël, fillestar por sot ka arritur përmasa më të mëdha. Ne vazhdimisht e kemi përkrahur festivali ne rrushit, që tash është Hardh Fest, jemi donator, prej fillimit kemi qenë pjesëmarrës në festival. Janë vizitorë të shumtë që vijnë nga Kosova, jashtë Kosovës dhe vende të tjera të Evropës. Është një reklamë e madhe për Rahovecin, edhe për Kosovën, sepse shumica nuk kanë ditur për verën e Kosovës, dhe kur e shohin atë me të vërtetë çuditen, por binden që Rahoveci ka një prodhim që mund të krenohet Kosova. .. është mundësi e mirë për prodhuesit vendor, sepse ëhstë një farë reklame, shihet rrushi, provohet vera, vera rrjedh nga rrushi”, thotë ai.
Në kohën e mbajtjes së këtij festivali, Rahoveci merr pamje tjetër, i mbushur me turistë, ky vend mirëpret të gjithë ata që duan të njihen me Rahovecin dhe të veçantat e tij.
Në mesin e hapësirave me monumente historike e fetare, në Rahovec takon edhe tolerancën ndërfetare, përveç pamjes së bukur të vreshtave të cilët varësisht prej stinës, marrin pamje tjetër.
E më së lehti krejt këto i mëson nëse e viziton Rahovecin në kohën e mbajtjes së Hardh Fest, festival që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, e që sivjet organizohet nën moton “Një got’ për mot”.