fbpx

Në kujtim të Anton Pashkut

Në kujtim të Anton Pashkut

Për nder të përvjetorit të lindjes së shkrimtarit Anton Pashku u mbajt një konferencë shkencore dhe ekspozitë të organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe e Shqipërisë, raporton RTK.

Anton Pashku ishte shkrimtar i cili në tekstet e tij mbërthente tiraninë që mbizotëronte asaj kohe në trojet shqiptare. Ai gjimnazin e kreu në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së tij punoi në Shtëpinë Botuese Rilindja, një periudhë si gazetar dhe një pjesë tjetër si redaktor i rubrikës së kulturës.

Bashkëpunime të tilla si kjo e bibliotekave ngreh lartë autorët shqiptarë në mbarë trojet tona, sipas drejtorit te bibliotekës “Pjetër Bogdani” Fazli Bajraku.
“Po është autor që lexohet gjithë jetën, së është autor që ndryshon lexim pas leximi, pas çdo rileximi, së është autor letërsia e të cilit ka provokimin e pa durueshmërisë së leximit, tekstit, zërin e të cilit, jehonën e të cilit, mund ta dëgjosh.”

Për të grumbulluar material për përvjetorin e lindjes së Anton Pashkut, është dashur mund të shfletohen revista, gazeta të shumta të asaj kohe tha Bukurie Haliti, koordinatore e kësaj ekspozite.

“Kemi bërë kërkime në e shumicën e revistave dhe gazetave me botim në Kosovë, jemi fokusu më shumë me botimet në Kosovë. Si gazetë ditore e kemi hulumtua Rilindjen, prej vitit 1955, prej kur i ka shkrimet e para.”

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, në këtë konferencë tha se duhet ti nderojmë autorët shqiptarë më fuqishëm për shkak se ne si popull kemi nevojë për ta.
“Kërkojmë më vetëdije një moment të ri dhe cilësor reflektimi, njohje të ndërsjellë dhe të thelluar të autorëve dhe personaliteteve shpirtërore të kombit, jo se ata e presin një gjë të tillë prej nesh, por se ne kemi nevojë gjithnjë e më shumë për ta.”

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin./RTV21