Nga vaska me plot pije dhe gjuajtja me armë deri te grushtimi i gazetarit – ky është Endrit Shala

Nga vaska me plot pije dhe gjuajtja me armë deri te grushtimi i gazetarit – ky është Endrit Shala

Endrit Shala, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, në vend se ta përfundojë vitin dhe mandatin me ndonjë konferencë ku do të tregonte për të ‘arritura’ e tij – ai ka zgjedhur të mbahet mend për diçka tjetër.

Konferencë me gazetarë nuk bëri, por me një gazetar u mor. Si ‘përgjigje’ atij mbrëmë i dha një grusht në fytyrë.

Gjersa gazetari po bënte detyrën e tij, me dokumentin e punës që e identifikonte, Endrit Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin e Indeksonline.

Siç raportoi Indeksonline, gazetari po përcillte mbrëmë nga afër në QKUK gjendjen e zyrtarit tjetër të Nismës, Luan Malokut.

Shala mbrëmë nuk e pranoi sulmin ndaj gazetarit.

Reagimi skandaloz i Endrit Shalës pasi grushtoi gazetarin: Nuk ia vlen me më thirrë

Ai i tha Insajderit se “nuk ia vlen” të sqarohet dhe se “janë rrena” raportimet e mediave për sulmin e tij ndaj gazetarit.

“Kush e ka sulmuar gazetarin?”, ka pyetur Shala. “Po ti shkruaje lajmin, çka po më thirr mua me më pyet. Nuk ia vlen me më thirr mua për këto far rrenash”.

Pavarësisht mohimeve të tij, rasti është konfirmuar si sulm nga Policia.

“Në orët e mbrëmjes, viktima mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se është sulmuar nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor”.

“Në bashkëpunim dhe koordinim  me IPK-në dhe prokurorinë do të merren veprime tjera lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan Insajderi.

Por kush është Endrit Shala?

Endrit Shala, minsitri në detyrë do të mbahet mend edhe për fotografinë e tij me plot pije alkoolike përpara një vaske.

Fotografi kjo e publikuar gjatë kohës sa ai ushtronte detyrën e ministrit, por që ishte shkrepur vite më parë.

Fotografia e Endrit Shalës dhe Durim Limajt para vaskës me plot pije alkoolike

Shala shihej nën shoqërinë e Durim Limajt, djalit të liderit të Nismës Socialdemokrate dhe dy personave të tjerë – siç shihet në fotografi, qëndronin të ulur përpara një vaske të improvizuar me dhjetëra pije në të.

Mbi të gjitha pijet e shtrenjta ishte e vendosur edhe një “Ciroc Vodka” – pije alkoolike franceze, raporton Insajderi.

Shala gjatë kohës sa ishte vetëm anëtarë i Nismës, kishte gjuajtur me armë në një aheng, kur patën marrë pjesë edhe disa politikanë të tjerë.

Për këtë vepër penale ai është dënuar gjatë kohës sa ushtronte detyrën e ministrit. Në mars të 2019-ës ai ishte shpallur fajtor duke u dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë.

Ndryshe nga 1 tetori i vitit 2018 – Endrtit Shala, njeriu i afërt i Fatmir Limaj, ka udhëhequr ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë – ministri kjo e ‘njohur’ për punësimet e shumta partiake.

Shala në zgjedhjet e fundit ka marrë 6830 vota, duke qenë kështu për herë të parë deputet në Kuvendin e Kosovës.

insajderi.com