Kur para dy muajsh, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ishte nisur në një udhëtim nëpër vend që e quajti “Turi i Dëgjimit” ai kishte bërë edhe një paraqitje në një nga serialet komike që transmetohet në Kohavision, të gjithë këtë e kishin menduar si një taktikë interesante të Veselit për të treguar se sa “cool” është.
Ekipi i serialit “O sa mirë” madje kishte vendosur që t’ia dedikoj tërësisht një episodë Veselit i cili merr mendimet e “studentëve” të kolegjit.
“Të dashur miq, këtë javë bëra një ndalesë të pazakontë në kolegjin ‘O Sa Mirë’. Ju ftoj ta ndiqni vizitën time atje”, kishte shkruar Veseli duke postuar një “selfie” me aktorët e serialit.
Episodi kishte marrë qindra mijëra klikime dhe ishte një ndër episodet më të komentuara të serialit duke e bërë këtë serial temë të diskutimeve në rrjete sociale dhe media.
Tre muaj pas pjesëmarrjes në këtë serial u zbulua se nuk kishte qenë krejtësisht e natyrshme dhe e zakonshme pjesëmarrja e Veselit në lojën e serialit.
Tash kur “Turi i Dëgjimit” ka përfunduar dhe është kohë fushate, seriali “O sa mirë” ia ka kthyer favorin Veselit.
Skenaristi i serialit televiziv “O Sa Mirë”, Ard Islami dhe aktori Fisnik Ademi, shkuan në zyret e PDK-së për të bërë një fotografi me Veselin e kësisoj treguan se kanë vendosur t’i bashkohen Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Njoftimi për aderimin e tyre në PDK u bë nga kryetari Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook ku Veseli shihet me Islamin dhe Ademin teksa mbajnë duart së bashku.
Veseli ka thënë se edhe arti dhe kultura kanë nevojë për energji të reja dhe lidership të ri.
Unë “aderova” javë më parë në një episod të serialit më të mirë, “O sa mirë”. Ndërsa sot pata nderin t’u uroj mirëseardhje skenaristit Ard Islami dhe aktorit Fisnik Ademi në platformën tonë “Fillimi i Ri”. Edhe arti dhe kultura kanë nevojë për një energji të re pozitive dhe lidership të ri që ndihmon krijuesit artistikë në vend! #FillimiRi”, ka shkruar Veseli./Insajderi.com