Replikat mes Hashim Thaçit e Vjosa Osmanit kanë esklauar. Ata po akuzojnë njëri-tjetrin pothuajse për gjithçka dhe pa kursyer asgjë.
“Gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime”, ka shkruar Vjosa Osmani në Facebook, si kundërpërgjigje për komentet e Hashim Thaçit, i cili tha se dikush në familjen e Osmanit mund të ketë punuar për shtetin serb, njofton Insajderi.
Krye-parlamentarja e Kosovës ka shkruar se Lidhja Demokratike ka bërë gabim historik kur i dha votat për t’u zgjedhur Thaçi president.
Madje ajo ka deklaruar se LDK edhe duhet t’i kërkojë popullit falje për këtë veprim politik.
Osmani është vënë edhe në mbrojtje të babait të saj, i cili u akuzua ditë më parë se kinse ka punuar për regjimin serb.
“Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje”, shkruan Osmani.
“T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”.Insajderi.com