
Për të gjithë ata që mendojnë që homoseksualiteti është diçka jonatyrale, kërkimet shkencore kanë treguar që sjellja njerëzore nuk mund të jetë jonatyrale. Gjithçka që egziston, është natyrale. Njerëzit janë të paaftë të thyejnë ligjet e natyrës.
Për herë të dytë me radhë parada e dashurisë u mbajt në Prishtinë. U mblodh një turmë njerëzish që shumë shpejt u rrit dhe u nis të marshonte nëpër shesh për të festuar lirinë e shprehjes së identitetit dhe seksualitetit.
Individë të shumtë iu bashkuan në marshin e krenarisë, disa si pjesëtarë të komunitetit, disa për të përkrahur komunitetin, e të tjerë ndoshta edhe prej kureshtjes.
Sheshi ishte i ruajtur me policë, që përveç ndjenjës së sigurisë, të kujtonin që realiteti i krijuar është ende i brishtë.
Rreth e rrotull ka ende shumë njerëz që më shumë arsyetojnë dhunën se sa dashurinë mes personave të së njejtës gjini. Komentet e urrejtjes ishin të shumta, dukej sikur shumë mezi presin të gjejnë një hapësirë për të zbrazur mllefin e tyre personal.
Pas euforisë së paradës, kur marshi përfundoi, të pranishmit u porositën që të mos vazhdojnë në qytet me flamurët LGBT, sepse pa mbrojtje ata nuk ishin të sigurtë prej dhunës së mundshme.
Megjithatë, ishte e rëndësishme të që gjithçka përfundoi pa incidente, dhe sheshi i Prishtinës u mbush me dashuri, muzikë e ngjyra të paktën për një ditë.
Photo Credits: Jetmir Idrizi