Peja gati për edicionin e tetë të festivalit të filmit të animuar

Peja gati për edicionin e tetë të festivalit të filmit të animuar

Nga 14 gushti në qytetin e Pejës do të shfaqen rreth 300 filma të animuar në kuadër të festivalit të filmit të animuar “Anibar”.  Drejtori i festivalit, Vullnet Sanaj, në konferencën për media tha se edicioni i tetë i festivalit të filmave të animuar “Anibar” ka pasur një rritje të numrit të filmave.

“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të madhe të filmave që kanë marrë pjesë në kategori të ndryshme në festival. Këtë vit do të shfaqen deri në 300 filma në katër kinema të ndryshme. Dy prej tyre janë të hapura, kinema “Liqeni”dhe kinema “Kubat” dhe dy të tjerat janë kinema të mbyllura”, tha Sanaj.

Përveç filmave të animuar pjesë e këtij festivali do të jenë punëtori, prezantime, takime me regjisorët, debate e shumë aktivitete të tjera.

“Reclaim the city” është tema e edicionit të tetë, temë kjo e cila pritet të jetë një nismë që do të trajtohet edhe viteve të ardhshme.