Për zejen që po zhduket dhe për gratë që duhet të ndihmohen

Për zejen që po zhduket dhe për gratë që duhet të ndihmohen

Elizabeth Gowing, është autore e disa librave dhe e mirënjohur në mesin e shqiptarëve edhe për shkak të aktivitetit të saj bëmirës në Kosovë dhe Shqipëri.

Mbrëmë, nën organizimin e ambasadorit Lirim Greiçevcit dhe stafit të ambasadës së Republikës së Kosovës në Londër, Elizabeth ka paraqitur një aktivitet të saj që meriton shumë vëmendje. Kjo paraqitje, në formë të ekspozitës dhe ligjërimit, do të bëhet edhe në disa qendra kulturore në vende të ndryshme të Britanisë së Madhe.

Elizabeth Gowing ka filluar një fushatë për ta njoftuar opinionin britanik në lidhje me filigranin e Prizrenit, një zeje shumë e veçantë që është në zhdukje e sipër. Pos punimeve të filigranit ajo paraqiti edhe librin e saj që për temë ka këtë zeje. Qëllimi i kësaj fushate nuk është vetëm popullarizimi i këtij zanati tonë tradicional por edhe mbledhja e ndihmave të cilat u dedikohen grave të Kosovës që ballfaqohen me vështirësitë e varfërisë dhe problemeve tjera.

Pubicisti Daut Dauti shprehet se Elizabeth Gowing ka kohë që promovon kulturën, traditën dhe historinë tonë në Britani të Madhe, njëkohësisht dhe gjithmonë duke iu ndihmuar njerëzve të lënë pas dore në Kosovë.