Përmeti, destinacioni i 17 mijë turistëve në janar-qershor

Përmeti, destinacioni i 17 mijë turistëve në janar-qershor

Rreth 17 mijë turistë kanë zgjedhur si itenerarin e tyre turistik në periudhën janar-qershor qytetin e Përmetit, i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të lumit Vjosë.

I njohur si qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, i këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës, por veçanërisht i glikove unikale, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, në një prononcim për ATSH-në, tha se “deri tani llogariten rreth 17 mijë turistë vendas e të huaj, si gjermanë, holandezë, italianë, por nuk mungojnë edhe ata izraelitë, francezë, austriakë, polakë, çekë, grekë, kinezë, shqiptarë”.

Duke parë këtë trend, shprehet Thanasi, Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet tepër të rëndësishme të ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor.

“Turistët e huaj, por edhe ata vendas preferojnë të vizitojnë disa pikat turistike më të njohura të qytetit si Ujërat Termale , kanionet e Lengaricës, objektet e Kultit, atraksionet natyrore në Malin e Dhembelit dhe Nemërçkës, luginën e Vjosës, Gurin e Qytetit, etj”,- tha Thanasi.

Sipas tij turistët e huaj preferojnë të qëndrojnë edhe me kampingje te Ujërat Termale dhe rrëzë malit.

Gjatë fundjavës, shprehet Thanasi, në qytet nuk gjen kollaj hotele të lira, megjithëse gjatë këtij viti turizmi familjar po merr përparësi me disa guesthouse që janë shtuar për të pritur turistët vendas e ata të huaj.

Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të një familjeje aktive.

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit. Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë e ekonomisë dhe punësimit familjar.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister/ATSH/