Pesha e dhembjes – poezi e Avni Deharit kushtuar dy djemve të ndjerë

Pesha e dhembjes – poezi e Avni Deharit kushtuar dy djemve të ndjerë

Poezi nga Avni Dehari

(Bijve të mi, që humbën jetën në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe Astritit më 2016)

Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare!
Sa dheu i gjakut tonë!

E thellë dhembja,
Sa thellësia e Adriatikut,
e Jonit valëshumë,
E oqeanit të pafund!

E lartë Krenaria
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi Atdheun tonë!

Krahëhapur krenaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!

Hijerëndë krenaria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!

Det i trazuar pikëllimi
Plot valë ngushëllimi, freskie e krenarie
Cep më cep zemërdhembshurës sonë,
Për Ju,
Që hodhët hapin me shkronjën e parë të ATDHEUT!