Poeti nga Kosova në një skenë me PJ Harvey

PJ Harvey dhe Prend Buzhala ndajnë skenën dhe poezitë për Kosovën

Poeti kosovar nga Klina, Prend Buzhala dhe poetja e këngëtarja e njohur botërore, Pj Harvey nuk kanë asgjë të përbashkët sa i përket krijimtarisë së tyre, përpos një gjëje: Kosovën. E të dytë, kanë ndarë të njëjtën skenë në natën e katërt të festivalit “Woerdz” që është mbajtur në Zvicër.

PJ Harvey dhe Prend Buzhala ndajnë skenën dhe poezitë për Kosovën

PJ Harvey ka qenë vetëm një herë në Kosovë. Para tre viteve ajo ishte në Prizren, në kuadër të festivalit “Dokufest”. Por kaq i kanë mjaftuar që të inspirohet për të shkruar poezi nga ky udhëtim.

Për fituesen e dyfishtë të çmimit prestigjioz “Mercury Prize”, ky udhëtim bashkë me një tjetër në Afganistan, ka qenë i mjaftueshëm që të shkruaj librin e parë me poezi të titulluar “The Hollow of the hand”, që bashkë me disa këngë përmbajnë gjithë ndjesitë e saja nga ky udhëtim.

Dhe nga udhëtimi në Kosovë, PJ Harvey nuk merret me atë që i bënë përshtypje poetëve të tjerë: të rriturit mungojnë.

“Përpos një gruaje e vjetër në fshat të Kosovës që mbanë në qafore 15 çelësa për 15 shtëpi të braktisura”.

Por për poetin nga Çabiqi i Klinës, udhëtimet në Kosovën e tillë janë të zakonshme. Historitë e popullit dhe vendlindjes së tij e inspirojnë për balada. Ai i flet ndryshe këtyre përjetimeve.

Në pamje të parë Prend Buzhala dhe PJ Harvey nuk kanë asgjë të përbashkët përpos përjetimeve të ndryshme mbi luftën në Kosovë.

Por të shtunën e 22 tetorit, PJ Harvey dhe Prend Buzhala patën diçka të përbashkët: ndanë të njëjtën skenë, duke treguar përjetime të ndryshme mbi të njëjtën luftë.

pj

Dhe siç shkruan gazeta zvicerane, “kulturteil.ch”, kjo ka qenë një natë e mrekullueshme dhe për t’u mbajtur në mend.

PJ Harvey, shkruan gazeta zvicerane, ka lëshuar edhe një “kritikë” të lehtë në Festivalin Ndërkombëtar të Fjalës së Folur në Luzern të Zvicrës.

Teksa ka ngritur paralele mes pasojave të luftës në Kosovë dhe Afganistan, nëpërmjet vargjeve, PJ Harvey citohet të ketë lëshuar edhe një kritikë të lehtë për autoritetet amerikane, të cilat kanë ndërhyrë në të dy luftërat.

“Teksa në Kosovë dhe Afganistan kërkohet lëmoshë në një stacion të fundit në Washington DC dikush kërkon ndihmë. A nuk është e çuditshme që shpresa është e njëjtë”, shkruan gazeta zvicerane.

Dhe fill pas PJ Harvey, në skenë ngjitet dikush tjetër, i panjohur ndërkombëtarisht, krahasuar me këngëtaren britanike.

Është Prend Buzhala që paraqitet në kundër të programit “5 gjuhë të ndryshme”.

Fokusi është i njejtë: Kosova. Veçse Buzhala sjellë “Balada nga Kosova”.

buzh

Poezitë e Buzhalës janë lexuar në gjuhën gjermane të përkthyera nga Bardhec Berisha dhe të recituara nga vajzat e tij Rozë e Blertë Berisha, raporton Insajderi.

Gazeta zvicerane i kushton një pjesë përkthyesit Berisha i cili e kishte lënë Prishtinën në vitin 1983 për të emigruar në Zvicër për arsye politike.

“Fillimisht kishte punuar në kompani ndërtimi. Buzhala mbeti në Kosovë, ku ishte torturuar deri në vdekje. Poezitë e tij janë poezi serioze, të vështira për t’u përkthyer”, shkruan “zentralplus.ch”.

“Poezitë e Buzhalës janë të rëndësishme dhe të guximshme, edhe pse Prend Buzhala nuk është PJ Harvey dhe të dytë kanë dallime të mëdha në perceptimet poetike”, shton gazeta, raporton Insajderi.

Por për Buzhalën, kjo nuk ka fare rëndësi.

Në një shkrim të postuar në profilin e tij në Facebook, Buzhala e cilëson këtë mbrëmje si më të mirën, për arsyen se ajo gati iu kushtua krejtësisht Kosovës.

“Për 40 minuta me radhë, recitoi vargjet e saj P. J. Harvey, e cila pjesën më të madhe të krijimeve të saj ia kushtoi Kosovës. Ajo është e njohur edhe si këngëtare që e ka dhe band-in e vet. Salla ishte e tëra e mbushur me spektatorë që përjetuan një mbrëmje tejet impresive… dhe iu duartrokitën krijuesve…”, ka shkruar Buzhala. /Insajderi.com