Premiera e dramës “Burrnesha” jepet në Bernë të Zvicrës

Premiera e dramës “Burrnesha” jepet në Bernë të Zvicrës

Premiera e dramës “Sworn Virgin / Burrnesha” e autorit kosovar Jeton Neziraj do të jepet me 1 maj, nga ora 19:00, në Bernë, në teatrin Schlachthaus. Regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisori i mirënjohur zviceran Johannes Mager, kurse luajnë: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Johanna Dähler e Marisa von Weissenfluh (live-video).

Në dramën e Nezirajt “Sworn Virgin”, burrnesha Sose takohet me Edith, një antropologe angleze, dhe bashkë me të udhëtojnë në Londër, në një seri të prezantimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një ‘queer performance’ që është duke u përgatitur nga transvestiti Julian, që është Drag-Queen më e njohur në Londër.

Pos premierës më 1 maj, shfaqja do të ketë edhe 4 repriza të radhës me datë 3, 4, 5 dhe 8 maj, po në teatrin Schlachthaus të Bernës. Në vjeshtë ndërsa do të shfaqet në Lucern, Zürich, Winterthur e qytete të tjera të Zvicrës.

Rolin e burrneshës Sose e luan aktorja me origjinë nga Kosova, Albana Agaj. Ajo, vitin që shkoi, ka realizuar një udhëtim hulumtues në Shqipëri, për të kuptuar më shumë rreth burrneshave dhe mënyrës së tyre të jetesës.

Për shfaqjen “Sworn Virgin”, dramaturgu Neziraj u shpreh: “Perspektiva e hulumtimit të fenomenit të burrneshave ka qenë kryesisht ekzotik, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”.

Ka pasur poashtu njëlloj ekspoloatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë.

Ai lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, dhe i cili ekspozim nuk u ka sjellë ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretizuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie ekstremisht patriarkale.

Por për shumë nga këto gra, të vishesh si mashkull dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik.”./kohanet.

Shfaqja është bashkëprodhim teatror i “forever productions”, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.

Skenografinë e shfaqjes e ka bërë Hugo Ryser & Optickle, kompozimin muzikorë: Dominik Blumer, dizajnin e dritave: Lorenz Gurtner, kurse producente ekzekutive është: Annette von Goumoëns.

“Sworn virgin – Burrnesha” është bashkëpunimi i dytë i autorit kosovar Jeton Neziraj me kompaninë “forever productions”. Para dy vitesh ata kanë bashkëpunuar në shfaqjen “Kosovo for dummies” e cila pos në Zvicër, është shfaqur edhe në Gjermani, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.