PriFest ia ndalon gazetares së Insajderit hyrjen në festival pasi nuk u pëlqeu shkrimi

Ti tregosh gazetares nëse është mirë apo jo ta përcjellë festivalin apo t’i tregosh nëse është me vend apo jo prania në festival, vetëm për arsye se nuk u ka pëlqyer shkrimi për festivalin tregon për një vazhdimësi të një tradite të keqe të këtij festivali, kur disa vite më parë kishte larguar nga festivali edhe gazetarë të tjerë, pikërisht për shkaqe të njëjta.

PriFest ia ndalon gazetares së Insajderit hyrjen në festival pasi nuk u pëlqeu shkrimi

Një ditë para se të fillojë edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest”, organizatorët e kësaj ngjarje janë  përkujdesur që të selektojnë se cilët gazetarë duhet ta përcjellin e cilët jo.

Dy ditë pasi, gazetarja e Insjaderit, shkroi një tekst paralajmërues për nisjen e edicionit të 8-të të Festivalit, PriFest, organizatorët e këtij festivali i kanë dërguar email nëpërmjet të cilit, i tregojnë se nuk është me vend prania e saj në festival.

“E-maili të ka ardhur pasi të kisha futur tek lista e kontakteve mediatike, por, pas shkrimit të fundit nuk mendoj se është me vend prania jote në Festival”, thuhet në emailin e dërguar në adresë të gazetares Egnesa Vitia.

Tutje ky email i nënshkruar nga Romina Ruda, koordinatore e medieve dhe komunikimit, shpjegon se arsyeja e këtij vendimi është fakti që organizatorëve të “PriFest” nuk i ka pëlqyer shkrimi që ajo ka bërë.

Sipas tyre, ajo do të ftohej në festival sikurse shkrimi të ishte më i mirë dhe më i pëlqyeshëm për organizatorët.

“Do kisha dashur të ishe mbështetëse pozitive e PriFest, por vërejta tendenciozitet në shkrim dhe nuk shoh arsye përse ti vetë të duash të vish tek një festival për të cilin shkrove aq shëmtuar”, thuhet në e-mail.

Përgjigje e redaksisë

Me 19 prill, Insajderi ka publikuar një shkrim-analizë mbi edicionin e 8-të të Festivalit PriFest. Teksti me titull “PriFest zbret me “këmbë në tokë”, tregon sesi Festivali këtë vit ka një ndryshim në mënyrën e organizimit dhe vendet ku mbahet ky festival.

PriFest zbret me “këmbë në tokë”

Shkrimi që Prifest e konsideron “tendencioz dhe i shëmtuar”, tregon në mënyrë të detajuar udhëtimin e këtij festivali bazuar në disa fakte.

  1. Sesi festivali deri para vitit 2015 është mbajtur në Teatrin Kombëtar, ndërsa këtë vit, TKK nuk e ka lejuar të mbahet aty. Kemi publikuar edhe akuzat e drejtoreshës Vjosa Berisha që i bënë TKK-së, duke e quajtur “vendim tendencioz”.
  2. Sesi festivali si pasojë e shkurtimit të buxhetit nga ana e Ministrisë së Kulturës, vitin e kaluar ishte detyruar të shkonte në ekzil si shenjë proteste për këtë vendim.
  3. Sesi festivali këtë vit ka një numër rekord të filmave dhe numër më të madh të punëtorive e ngjarjeve brenda festivalit.
  4. Dhe sesi, ky festival sivjet nuk do të ketë zonën luksoze me tepih të kuq përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, por do të mbahet në Kino të Hapur në Amfiteatrin në Sheshin Zahir Pajaziti dhe në sallat e Pallatit të Rinisë, Salla e Kuqe dhe Ateleja.

Këto fakte dhe shumë të tjera, gazetarja i ka shkruar për të vënë në pah lëvizjen pozitive të festivalit në këtë edicion, si një festival që është shumë i fokusuar në filma dhe punëtori për kinematografinë sesa në qilim të kuq dhe glamurin që e ka karakterizuar në 6 edicione.

Për Insajderin, një qasje e tillë e festivalit që nga buxheti i shtetit është financuar me 13 mijë euro, është një qasje e patolerueshme dhe tendencioze.

Ti tregosh gazetares nëse është mirë apo jo ta përcjellë festivalin apo t’i tregosh nëse është me vend apo jo prania në festival, vetëm për arsye se nuk u ka pëlqyer shkrimi për festivalin tregon për një vazhdimësi të një tradite të keqe të këtij festivali, kur disa vite më parë kishte larguar nga festivali edhe gazetarë të tjerë, pikërisht për shkaqe të njëjta.

Organizatorët e Festivalit në vend që të dërgonin e-maile të tilla ku i tregohet gazetarëve nëse duhet apo ta përcjellin festivalin, do të duhej të dërgonin edhe një reagim dhe të renditnin faktet për tendenciozitet në tekst dhe për shëmtitë që ata thonë se ka në tekst.

Faktet mund të jenë të shëmtuara nganjëherë por megjithatë janë fakte.