Prishtina pritet të plotësojë kushtin e fundit për t’u bërë nikoqire e bienales “Manifesta 2022”

Prishtina pritet të plotësojë kushtin e fundit për t’u bërë nikoqire e bienales “Manifesta 2022”

Prishtina është vetëm një hap larg organizimit të Bienales Evropiane të Artit Bashkëkohor të njohur si “Manifesta”, në vitin 2022.

Teksa ka plotësuar shumicën e kushteve të kërkuara nga bienalja “Manifesta”, Komunës së Prishtinës i ka mbetur vetëm një kusht për ta sjellë këtë ngjarje në kryeqytetin kosovar.

“Prishtina i ka plotësuar të gjitha kushtet, ka mbetur vetëm edhe garancioni bankar të sigurohet nga Ministria e Financave, ngjashëm me garancinë që është dhënë për autobusët komunal në vitin 2016”, ka thënë sot për Insajderin, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Rugova është shprehur optimist për finalizimin e marrëveshjes që do ta sillte në Kosovë bienalen “Manifesta”.

“Kushtet e tyre kanë qenë që të plotësojmë investimet e duhura infrastrukturore, të sigurohen fondet e duhura por edhe liria krijuese për të përzgjedhur artistët më të mirë ndërkombëtarë dhe rajonal në këtë bienale”, ka deklaruar Rugova. “Poashtu kusht ka qenë që të mos ketë kufizime sa i përket pjesmarrjes së etniteve të ndryshme, duke lejuar kështu inkluzivitet”.

Komuna e Prishtinës parasheh që brenda dy javësh të plotësojë edhe kushtin e fundit për finalizimin e marrëveshjes.

“Jam optimist që brenda 2 javësh të kemi të përfunduar gjithë procesin me garancinë bankare, dhe të përfundojmë me nënshkrimin e protokolit qysh kërkohet edhe sipas planit”, u shpreh Rugova.

Organizimi i Bienales “Manifesta” në Prishtinë do të mundësonte ardhjen e mbi 200,000 vizitorëve ndërkombëtarë në Prishtinë, si dhe prurjen e dhjetëra miliona euro në ekonominë e Kosovës në format nga më të ndryshme.

Manifesta është bienale ndërkombëtare e artit e cila çdo dy vjet mbahet në një shtet tjetër. Këtë vit ky organizim po bëhet në Palermo, dhe sipas të dhënave atje ishin rreth 470 mijë vizitorë dhe dhjetra miliona investime. /Insajderi.com