Produktet e grave nga Kosova, përmes “Sa punë” depërtojnë edhe në Angli e Amerikë

Produktet e grave nga Kosova, përmes “Sa punë” depërtojnë edhe në Angli e Amerikë

“Unë besoj se gratë kosovare mund ta ndryshojnë botën dhe unë po bëj diçka në këtë drejtim”, shkruhet në njërën nga çantat e punuara pikërisht nga duart e një gruaje kosovare, e që ndodhet në zyrën e “The Ideas Partnership” në Janjevë.

Në një tavolinë brenda kësaj zyreje janë mbledhur katër gra nga ky vend dhe po diskutojnë për punimet, të cilat kanë tejkaluar edhe shifrën që pritej prej tyre. Me plot vullnet ato vijnë dhe kthehen nga ky takim ku prezantojnë produktet të cilat i kanë punuar për një javë.

Çanta bartëse, kartolina me filigran, çanta të levendes, kuleta me filigran, vath dhe varëse, tregues të librave (bookmarks) me filigran dhe qirinj me filigran janë produktet të cilat një grup i grave të Janjevës dhe një grup i grave nga Fushë Kosova i punojnë me shumë pasion e të cilat arrijnë të shiten edhe jashtë Kosovës, në Angli dhe në Amerikë.

“Sa punë” titullohet biznesi social i cili është në kuadër të “The Ideas Partnership” e që nga viti 2012 ka hapur dyert për trajnimin dhe punësimin e grave, të cilat mbajnë trajnime të vazhdueshme gjatë punës si mundësi për përfitimin e njohurive në krijimin e produkteve të reja. Ky biznes tanimë ka të punësuara tetë gra të komuniteteve të ndryshme ndërsa kushti kryesor për punësimin e tyre ka qenë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Altinë Nika, kordinatore e “Sa punë”, tregon për KultPlus se ky biznes jo vetëm që është i përqendruar në punësimin e grave dhe shkollimin e fëmijëve por njëkohësisht edhe ruan traditën e filigranit.
“Ky biznes ka 8 gra te punësuara, gra të komunitetit rom, ashkali, egjiptian dhe shqiptar. Kushti i vetëm që këto gra të punojnë me ne është t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e shtetit sidomos në shkollimin fillor, pasi e dimë se sa shumë fëmijë të komuniteteve i braktisin shkollat nga pamundësia financiare. Biznesi ynë jo vetëm që punëson gratë dhe ka target shkollimin e fëmijëve por edhe ruan traditën e filigranit dhe mundëson që totebags të përdoren si çanta në vend të qeseve të plastikës të cilat janë problem për ambientin”, tregoi Nika për KultPlus.