George Orwell me siguri nuk mund ta dinte sesa profetike do të bëheshin fjalët e tij, kur shkroi romanin distopian “1984”, në mesin e shekullit XX.
Britania e Madhe ka rënë dhe i ka lënë vendin Airstrip One, një provincë e supershtetit të sajuar për qëllime letrare, të Oqeanisë.
Airstrip One drejtohet nga një luftë e përhershme dhe Big Brother, një udhëheqës misterioz që përdor mbikëqyrjen e kudondodhur të qeverisë, si dhe një kult të personalitetit për të zbatuar ligjin dhe rendin.
Winston Smith, personazhi kryesor i librit, duhet të “lundrojë” nëpër Parti, Big Brother dhe mendimet e tij, të cilat bëhen gjithnjë e më “kriminale” me kalimin e kohës.