Ky është testamenti i plotë i Mit’hat Frashërit, depozituar në Gjykatën e Tiranës më 4 mars 1929!
“Tiranë 4 Mars 1929
Unë, Mid’hat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bëj këtë testament, duke ushqyer shpresën se pas vdekjes’ s’ime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu:
1) Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobile, karta, plaçka, para etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendrojë dhe të udhëheqet studimet që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarët.
2) Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
3) Gjithë sa më kanë mbeturë nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzenë t’ime familiare, dëshëronj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë, brënda në INSTITUT.
4) Në paça të holla, në shtëpi, më no një bankë ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuarë me sumën që do mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdorenë të gjitha së bashku.
- A) për të bërë spenximet e parë e një godije (shtëpie) e cila të shërbejë si INSTITUT ALBANOLOGJIE, një godi e mjaftë për të nxënë bibliotekënë dhe për zyrratë. Dëshira ime është që kjo shtëpi të jetë mjaft’ e gjerë sa për të pasur një ose dy oda ku të mundin të bujtin dhe të rrinë musafirë studimtarët albanologë të huaj që vijnë së jashtmi.B) Në qoftë se, në vdekjet t’ime, kam mundurë të godit vetë no një shtëpi, INSTITUTI do të installohetë atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më siprë, dotë vihenë në një bankë të sigurtë dhe interesi i tyre, do të përdoretë për qëllimin e INSTITUTIT, sidomos për të shtypurë libra ose për të enkurajuarë botimin e tyre.
5) Libraria ime dëshiroj që të shitet ashtu si është, e tërë bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundur, të mbajë emërin që i kam dhënë unë.
6) Librave të INSTITUTIT t’u vihetë vula ime “Biblioteka Lumo Skëndo 1897” dhe t’u ngjitetë Ex-libris. Vula do të gjendet në tryezën’ t’ime, në shtëpi, e gatijtë, kur se ex-libris është vetëm një skicë bërë prej Hyshref Frashërit.
7) INSTITUTI do të jetë nënë këqyrjen e një Komisioni, bërë prej:
- a) Drejtorit të Bibliotekës dhe Muzes’ së Shtetit në Tiranë, (Bibliotekë dhe Muze Kombëtare);b) Kryetarit të Bashkis’ së Tiranësë;c) Një funksionari të Ministris’ s’Arsimitd) Kryetarit të Diktimit Civil;e) Drejtorit të institutit arsimor shqipëtar më të lartë të Tiranësë.
8) Për të zbatuar testamentin t’im dhe për të ngrehurit e INSTITUTIT lë si të ngarkuar prej meje këta Zotërinj: Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Mehdi Frashëri dhe Edhem Fuad Frashëri. Zotit Niazi Tirana i ap barrënë që të kujdesetë edhe si një notabl i Kryeqytetitë.
9) Në qoftë se një prej këtyre zotërinjve gjendet absent, për një ose tjetër shkak, në kohët të vdekjes’ s’ime, atëherë do të zërë vëndin e tij, ose të tyre, Athanas Shundi, farmacist në Tiranë dhe Hasan Toptani, biri i Kurad Toptanit; me të mos ndodh më tepër se dy, ata që gjendenë janë të ngarkuar të zgjedhin aqë anëtarë sa mungojnë prej numurit që shënonj unë.
10) Ngarkonj prapë Baban e Teqes’ së Frashërit, Kryetarin e Bashkis’ së Frashërit dhe më plakun nga anëtarët e Bashkis’ së Frashërit, të kenë mirësinë dhe të kujdesenë për mbarimin’ e dëshirës’ s’ime që shtronj në këtë testament, do në fillesë të punësë, do edhe çdo mot duke kërkuarë që të botohen edhe çdo mot, duke kërkuarë që të botohetë veprimi dhe bilançoja e INSTITUTIT.
11) Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshirë ime do të zbatohetë besnikërisht prej pasanikëvet të mij ndë gjithë shekujt që do të vijnë, dhe lutja ime drejtuarë fuqis’ së madhe që tani s’e kuptojmë dot, do të jetë të kenë gjithë Shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që Shqiptarizma të bëhetë një dëhsirë dhe një konviktim i thellë, dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është dhe e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i Shqipëtarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.
12) Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.
Me këto dëshira dhe shpresa po e nënshkruaj me dorën t’ime këtë testament.
Midhat Frashëri
Lumë Skendo
Këtë testament e kam depozituarë ndë Notarijën’ e Gjyqit të Shkallëq’ së Parë të Tiranësë, me datë 4 Mars 1929 dhe me numurë 163.
Kopje të këtij testamenti u kam dorëzuarë Zotërinjvet:
Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Edhem Fuad Frashëri si dhe Babajt të Teqesë së Frashërit.”