
Ngjashëm me fotografitë e Marubit, e pikërisht në Muzeun Marubi në Shkodër, pati ardhur vitin e kaluar koleksioni i dizenjatores Besa Neziri-Rugova. Një koleksion i frymëzuar nga fotografitë e Marubit, më saktësisht nga kostumet shqiptare të cilat ishin pasqyruar me aq mjeshtëri.
Kësisoj, si vazhdimësi e këtij koleksioni, dizenjatorja Besa Neziri-Rugova, e cila ka sjellë brendin e saj tashmë shumë të njohur “besë”, veshjet e fundit që i ka krijuar ia ka bashkëngjitë atij koleksioni duke i bërë si vazhdimësi të tij, por me shumë risi.
Në një rrëfim për Insajderi-n, Besa Neziri-Rugova, tregoi për këto veshje të cilat në fotosesionin e realizuar nga fotografja Fioralba Kryemadhi, vijnë tek syri i publikut me një veçanti shumë të madhe e po ashtu me një ngjashmëri me periudhën e Renesancës, Barokut si dhe periudhën realiste.
“Veshjet e fundi që i kam krijuar janë një vazhdimësi e koleksionit të fundit të cilin e kam prezantuar në Shkodër shtatorin e vitit të kaluar në Muzeun Marubi. Ky koleksion është kryesisht bardh e zi, si fotografitë e Marubit, dhe dominon pëlhura e endur, mëndafshi dhe materiali i leshtë që e kam përdorë në përparëse”, ka thënë fillimisht dizenjatorja Neziri-Rugova, e cila tutje vazhdoi të tregoi se si erdhi deri tek ideja e kombinimit të fotografive me veshjet e saj me pikturat e famshme të periudhave të ndryshme.
“Në fakt unë nuk kisha ndonjë ide paraprake që fotosesioni me veshjet e mija të ngjasonte me pikturat, se paku jo për mua. Por ishte miku im artisti Alban Muja, i cili e vërejti ngjashmërinë e njërës fotografi me veprën e ‘Motra Tone’. Pas kësaj, ngadalë ua gjeta të gjithave ngjashmëritë me pikturat e njohura ku dy janë të Renesancës, një e Barokut si dhe ajo e piktorit shqiptar Kolë Idromenos që i përket periudhës realiste”, pohoi Besa Neziri-Rugova, për Insajderin.
Që krejt këtë punë të saj ta prezantojë sa më mirë para publikut, dizenjatorja ka zgjedhur që të punojë me fotografen Fioralba Kryemadhi. Kjo nuk është hera e parë që këto dy artise bashkëpunojnë, mirëpo kësaj radhe ka qenë një bashkëpunim spontan, të cilit i është bashkuar edhe modelja Danias.
“Unë nuk e kam menduar aspak konceptin për fotografitë, ishte Fioralba ajo që i nxori me aq mjeshtri në një formë shumë artistike veshjet e mia në këtë fotosesion”, u shpreh Besa Neziri-Rugova.
Krejt në fund, ajo për Insajderi, tregoi se janë gjithsej katër fotografi të cilat ngjasojnë me pikturat të cilat ajo vetë i ka përzgjedhë. Ato janë: “Woman with a mirror” nga Giulio Romano, “Motra Tone” e Kolë Idromenos, “La Fornarina” e Raphaelos si dhe “Girl with pearl earring” e Vermeer./ Insajderi.com