Qeveria heshtë për shkeljen e dy ligjeve për 180 mijë eurot që ia ka ndarë dhëndrit të Nait Hasanit

Qeveria heshtë për shkeljen e dy ligjeve për 180 mijë eurot që ia ka ndarë dhëndrit të Nait Hasanit

Kanë kaluar plotë tre ditë që kur Gazeta Insajderi, raportoi për ndarjen e 180 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës, për projektin filmik të Luan Kryeziut, i cili është dhëndri i deputetit t֝ë PDK-së Nait Hasanit.

Tash e tre ditë, Qeveria e Kosovës, nuk ka thënë as edhe një fjalë të vetme për këtë veprim që e kanë bërë plotësisht në kundërshtim me Ligjin për Kinematografi dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, kjo pasi që, mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Gazeta Insajderi, ka tentuar përgjatë këtyre ditëve që ta marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovë, në lidhje me këtë vendim, por këta të fundit kanë vendosur të heshtin.

Ndonëse Qeveria po heshtë, dje një deklaratë u dha nga dhëndri i Nait Hasanit, Luan Kryeziu, regjisor i filmit ‘Lojë jete’, i cili thotë që këtë film do ta bëjë në bashkëpunim me SHBA-në. Ai ka dhënë një deklaratë skandaloze duke thënë se të gjitha projektet shqiptare gjithmonë e kanë penguar Serbinë.

Po ashtu  për Gazetën Insajderi, ka fol edhe deputeti Nait Hasani, ku ka thënë se i vjen keq për nivelin e gazetarisë lidhur me raportimin e vendimit të dyshimit që dhëndëri i tij, regjisori Luan Kryeziu ka arritur ta “bind” Qeverinë e Kosovës t’i ndajë një subvencion në shumë prej 180 mijë euro nga rezervat e shtetërore.

Hasani në një prononcim është shprehur se nuk është marr me këtë çështje dhe nuk ka pas asnjë kontakt lidhur me skandalin në të cilin është përfshirë dhëndëri i tij, Luan Kryeziu.

“Unë i lexova të gjitha gazetat edhe më vjen keq për nivelin e gazetarisë, unë tanë kohen jam marr çështjen e ligjeve as që kam pas kontakte për këtë. Mendimi është për turp, por lere më për tjerët që mendojnë më tutje”, ka thënë Hasani për Insajderin.

Në një deklarim për këtë çështje është distancuar edhe Ministria e Kulturës. Këshilltari i ministrit Kujtim Gashi, Samir Hoxha, i ka thënë Insajderit, se projekti nuk ka shkuar nga MKRS.

“Projekti nuk ka shkuar nga Ministria e Kulturës, ky është vendim që është marrë në mbledhje të qeverisë. As un e as ministri nuk kemi qenë këtu gjatë asaj periudhe. Ne nuk e kemi dërgu”, ka thënë për Insajderi, Samir Hoxha.

Luan Kryeziu brenda dy muajsh arriti të marrë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rreth 200 mijë euro, duke llogaritur këtu edhe 18 mijë euro që RTK, i dha dhëndrit të deputetit për ta shfaqur filmin ‘Heroi’, film ky i cili premierën e ka pasur në vitin 2014-të.

‘Lojë jete’, është projekti i Luan Kryeziut, i cili nuk u vlerësua nga juria profesionale e Qendrës Kinematografike të Kosovës, institucion ky i vetmi kredibil për të vlerësuar projektet filmike.

Rikujtojmë se Luan Kryeziu, apo dhëndri i Nait Hasanit, vitin e kaluar pati nxitur një debat të madh në medie duke thënë se po bënë film për heroin kombëtar Adem Jashari, dhe se ka refuzuar aktorin e njohur serb, që sipas Kryeziut, pati kërkuar ta luajë heroin e kosovarëve./ Insajderi.com