Regjisori Pirro Milkani i cili ka lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare është nderuar sot nga ministrja e Kulturës Elva Margariti me medalje mirënjohje “Ambasador i Filmit Shqiptar”.
“Kënaqësi që u mblodhëm sot, për kineastin dhe njeriun, Pirro Milkani, i cili ka ditur të na bëjë të qeshim pa fund me “Zonjën nga qyteti”, të përjetojmë dramacitetin e “Ballë për ballë” apo të pështjellohemi nga “Trishtimi i Zonjës Shnajder”. Pirro prej kohësh ka luajtur rolin e një ambasadori të kulturës shqiptare”, shprehet ministrja Margariti.
Me një përzgjedhje të kujdesshme të historive që ekranizonte Pirro Milkani do të krijonte individualitetin e tij artistik.
”Shtigje lufte” më 1974-trën një ngjarje që e rikthen sërish regjisorin në Luftën e Dytë Botërore, do ta bënte emër të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare.
Ndërsa në fillim të viteve 80-të, filmi bazuar në skenarin e Ruzhdi Pulahës, “Shoqja nga fshati” e më pas “Zonja nga qyteti” do ta bënte kinemanë e Milkanit më të dashurën e më të komunikueshme me shikuesin.“Pranvera nuk erdhi vetë” është një tjetër film që ka mbetur në kujtesën e shikuesit.
Me një karrierë të gjatë në kinemanë shqiptare, historia e këtij rrugëtimi artistik është në një farë mënyre dhe historia e kinemasë shqiptare. Pas viteve 90-të Milkani do të realizonte një nga filmat më të bukur të kinemasë sonë të dekadave të fundit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, një film gati autobiografik i jetës së tij studentore një Çeki/atsh.