Këngëtari i njohur Frederik Ndoci, gjatë një interviste për gazetën TemA, me “zemër në dorë” ka rrëfyer disa nga plagët e kohës së shkuar, por edhe disa nga projektet e tij me të reja në Hollywood.
“Jam duke xhiruar disa plane dhe skena në një film hollywood-ian, serial. Ku do të jem edhe kompozuesi i muzikës së filmit, dhe po punoj për të parakompozuar plane dhe tema te ndryshme muzikore të filmit. Kam në projekt edhe krijimin e një albumi me këngë të reja.
Por projekti më i madh është të riunifikoj familjen në USA”, the ai.
Gjithashtu, Ndoci ka shprehur mendimin e tij lidhur me debatin e prishjes të godinës së “Teatrin Kombëtar”.
Intervistoi Orest Çipa, Nju Jork
Z.Ndoci, për më shumë se dy dekada tranzicioni duket sikur artistët në Shqipëri më shumë sesa këndojnë, bëjnë “spektakël”, e rrjedhimisht krijohet një traditë anti-vlerash gjithnjë e në rritje. Ç’mendim keni ju për muzikën që bëhet sot në vendin tonë?
Në çdo shtet të botës arti i vërtetë është i censuruar, jo si gjatë viteve në diktaturën tonë.
P.sh. në New York dalin me qindra mijëra këngë në ditë, në stile të ndryshme, por ndoshta një ose dy e kalojnë klasën dhe hyjnë në histori.
E kam shprehur edhe herë të tjera, që nuk ka muzikë të keqe, por ka shije të keqija dhe ka disnivel profesionalizmi. Por edhe këto të dy dukuri do të ishin asgjë, nëse nuk do të ishin përkulur artistët e vërtetë para antivlerave të cilat u bënë vlera të tyre (ngaqë ishin të detyruar ekonomikisht, ose e thënë në lehtësimin e pseudotermave ekonomia e treut dhe nevoja e shpërthimit të vulgut).
Asnjëherë artisti i vërtëtë nuk mund të përballojë turmën e llumit që sjell i paafti, e sidomos kur i paafti paguhet nga interesa edhe politike të shkombëtarizimit dhe shkuljes së autencitetit dhe trashëgimisë kulturore të ruajtur me stoicizëm nga brezat, që gjatë shekujve sakrifikuan gjithçka për t’u ruajtur ne brezave që do vinim më pas, por që do ishte vetëm utopi, pasi feja u tjetërsue me para, ashtu edhe kultura jonë do të shkatërrohej dhe shitej nga çdokush që i afrohet një shumë parash. Në këtë rast vihet re mungesa e censurës dhe për kohët që kanë ardhur, është e domosdoshme.
Po të kthehemi pas në kohë, dhe ta krahasojme me sot, cilat ishin prioritetet që një artist kishte asokohe dhe cilat janë prioritetet që një artist ka sot?
Shpesh epokat sjellin edhe ndryshime, në çdo fushë të jetës, sigurisht edhe në art.
Atëherë (në monizem) ishte si moto, që sillte edhe nje angazhim masovik dhe një betejë, sipas citatit: “Artin revolucionar e bëjnë artistët revolucionarë, zemra e të cilëve rreh një me zemrën e popullit”
Pra, prioritar arti socialist kishte këtë tip lënde djegëse, që shpinte ujë në rrugën e të qenurit bashkëpunëtor disi indirekt me vijën e Partisë, dhe çdo gabim, edhe pa dashje, merrej si i qëllimtë dhe pasojat ishin të qarta.
Atëherë ishte shumë e lehte të përfundoje në burg, nëse nuk e kishe mendjen, pra prioritet ishte, të kishe një pjekuri të lartë e të qartë dhe sa më cilësore të dijeve dhe aftësive profesionale, nëse nuk kishe mbështetje nga lart. Atëherë ishin edhe artistë që mbështeteshin nga personalitete të larta, arsyet ishin për “motive të dobëta”.
Por meqenëse nëpër dikastere shtetërore dhe partiake ishin kryesisht burra, artistet femra, kryesisht ato që ishin të bukura, doemos që u plotësoheshin tekat e tyre…
Ndërsa ne meshkujt artistë duhej doemos të ishim cilësorë dhe të pagabueshëm, pasi jeta dhe karriera jonë digjej me shpejt se baruti, ku dhe jeta jonë dhe e krejt familjes varej në një fill peri.
Ndërsa sot, prioritetet që një artist i kohëve të sotme ka, janë që mjafton të gjejnë një viktimë “sponsor” që bën të mundur daljen në treg të një CD-je të re, ku as nuk bëhet fjalë për seleksionimin apo kërkesat për një cilësi të këngëve dhe materialeve që do të futen në CD.
Aventura të shumta, sakrifica dhe një sërë sulmesh e prapaskenash numërohen në jeten tuaj (periudha e komunizmit, largimi nga Shqipëria, Italia, Zvicra, Amerika, familja etj etj… ) për çfarë nuk do të pendoheni kurrë dhe çfarë do të doje të kishe ndryshuar?
Të jesh cilësor në artin tënd, nuk do të thotë se duhet të mbështetesh vetëm në aftësitë e tua, por edhe të punosh pambarimisht për t’i update-uar aftësitë me kohën.
Nëse nuk do ndodhte me mua që çdo kohë të bëja “up date”, vlerave të mia me ato që kërkonte koha…sot nuk do të isha as 10% Frederik Ndoci. Jeta për një artist është 20% talent dhe 80 % punë.Mendoni pak brishtesinë e një shpirti artist, sa e lehtë është t’a vrasësh atë.
Mendoni kur je cilesisht mirë, sa të shumtë janë sulmet nga të paaftët, nga xhelozët, meshkuj të veshur me pushtet në çdo kohë, sa e egër ishte diktatura me ne, sa të egra ishin dashuritë tona dhe tekanjozet femra që vinin nga struktura, sa stoike ishin sulmet e injorantëve e karrieristëve që ngjiteshin lart në shkallët hierarkike vetëm duke djegur jetë artistësh.Une kam vdekur me dhjetëra herë nga këta xhelatë.
Sikur të kisha mbrapsht vetëm kohën e jetës që më kaloi duke qarë e mallkuar xhelatët e vdekjeve të mia, sot do isha me siguri 38-39 vjeç!
(vdekja një) Këndoja këngë nga vitet 1972 nga repertori spanjoll me të rriturit në koncert variete, që organizonte asokohe Klubi i Rinise ‘Herojt e Vigut’, kënga Caminito dhe kënga luxemburgase Capre tua, ku në natën e tretë u anulluan këngët.
(vdekja dy) Në vitet 1973 fitoj kinoprovën e rolit kryesor në filmin “Nga mesi i errësirës”, por ma rrefuzuan vetëm ngaqë isha i prekur politikisht (biografi politike negative)
Isha shumë i ri, afro 15 vjeç dhe kjo ka ndikuar përfundimisht në formimin dhe karakterin tim, që të jem antikomunist në përjetësi.
(vdekja tre) Kur fillova të debutoja si instrumentist dhe vokalist me grupin “Na bashkoi kënga popullore”. Dekani i Akademisë së Arteve, Ibrahim Madhi, së bashku me sekretarin e organizatës së partisë, nuk më lënë as të përgjigjem në provim, por më ndëshkojnë me përsëritjen e lëndës për vjeshtë dhe në vjeshtë më rrëzuan vitin, vetëm se nuk pranova kërkesën e tyre për të mos debutuar me grupin.
(vdekja katër) Ishte viti 1979 kur erdhën dhe na rreshtuan të dhjetëve dhe na zgjidhnin “ti dil këtej, ti dil andej”. E më pas duke na thënë: “Të gjithë ju këtej keni një aktivitet të rëndësishëm jashtë shtetit, ju të tjerët e dini që biografia juaj nuk ju pranon, dhe jeni të lirë”.
(vdekja pesë) Kur më dënuan penalisht me nenin 55, dhe si pasojë më pezulluan dhe ndaluan tërë aktivitetin tim artistik më vendim të Presidiumit Popullor. Denimi ishte se akuzohesha nga një letër anonime, se isha bashkëpunëtor dhe spiun i CIA-s, FBI-së, KGB-së ,UDB-s dhe i Vatikanit.
(vdekja gjashtë) Kur erdhëm në RTSH nëTiranë në nëntor të vitit 1984 për rregjistrim të materialeve humoristike me estradën e Shkodrës, ku Ylli Pepo (drejtor i televizioni asokohe, sot demokrat i flaktë) u thotë trupës: “Kush e ka lënë të futet në televizion këtë Frederik Ndocin? Pastaj mu drejtua mua: Përjashta!Prit, prit, dhe thirri policin. E më pas porositi policin duke i thënë: “Duhet ta shoqërosh deri te treni, ta hipësh në tren dhe të presësh deri sa treni të niset për Shkodër.
Ti Frederik duhet të vish me leje policie edhe nëTiranë, është vendim qeverie, dhe as që bëhet fjalë në RTSH!!”
(vdekja e shtatë) Kur më dënuan më 1984 (kolektivi i estradës) me 6 muaj punë në tulla. Arsyeja ishte vetëm sepse mora pjesë në një film “Fundi i një gjakmarrjeje” e nuk u paraqita në punë para se të mbaronin xhirimet e filmit. Drejtoria donte që të mos vazhdoja xhirimet, e ndërsa unë isha në xhirime me urdhër të Ministrisë së Kulturës. Sapo mbarova xhirimet, shkova në Drejtorinë e Kinostudios dhe i kërkova drejtorit një shkresë që sonte në ora 21:00 mbarova xhirimet, për ta paraqitur në Drejtorinë e Teatrit “Migjeni”, por që nuk piu ujë, pasi vendimi ishte marrë dhe me duhej ta vuaja.
(vdekja tetë) Kur desh me futën prapë në burg, në1987, sepse refuzova të isha komunist, të bëhësha anëtar partie.
(vdekja e nëntë) Kur desh më përjashtuan nga puna (viti 1988) se gjatë këngës kur po këndoja në skenën e Teatrit të Vlorës, një spektatore femër doli nga salla dhe u ngjit në skenë, dhe filloi dance, më tepër gjimnastikë aerobike, drejtuesi i orkestrës ndali këngën në mes, unë e vazhdova në piano, dhe me pas në kitare që ia mora nga dora kitaristit, dhe më pas ky drejtuesi i orkestrës mbylli skenën. Salla e irrituar shante dhe ofendonte drejtuesin. Në darkë mblidhen që të vendosin përjashtimin tim nga Teatri. Arsyeja, pse e vazhdove këngën, por nuk ia arritën qëllimit.
(vdekja e dhjetë) Kur më hoqën çmimin e parë vetëm se drejtori M.H. nuk deshi t’ia jepte këngës që ishte e referuar nga lart, edhe pse kanga ime “Pranvera do lule shumë”, ishte më e votuara me zarfe nga populli, ajo doli e dyta.
(vdekja e njëmbëdhjetë) Kur desh hoqën Julin (Ndoci) nga kënga “Tok e Diellit”, në vitin 1989.
(vdekja e dymbëdhjetë) Kur nuk e transmetuan këngën time në natën e parë në festival, vetëm nga suksesi i madh që pati kënga atë natë, dhe se çmimi ishte blere me lekë më parë nga të paaftët. Kur pyeta për paratë, ky demokrati Ylli Pepo, me tha: Si del në skenë me ato flokë të gjata dhe me pantallona lëkurë??? Thamë demokraci dhe u bë deti kos? Çfarë kujton, se erdhi Amerika në Tiranë?
Dhe kënga në natën e tretë u vlerësua në vendin e tretë, apo të katërt, nuk me kujtohet, por që u bë shkaku i largimit tim nga Shqipëria.
Përmenda 12 vdekje duke mos harruar edhe shumë të tjera.Vdekje shoqërore, ndarja nga fëmijët dhe vuajtja për pajisje me dokumente në shtetet ku jetoja, e të tjera…..
Por pas vdekjeve të përkohshme vinte pas suksesi në një film, në një këngë, në një vepër arti, dhe kjo bënte që plagët e vdekjeve artistike shpirtërore të mos ishin dhe aq të dhimbshme, por të ishin të paharruara përjetë, edhe po të kisha 12 herë përsëritje jete, prapë do kisha dëshirë të kisha po jetën time, me të gjitha ngjarjet, vetëm me pak perjashtime: Ndarja me vajzat në vitin 1996, Flodia dhe Klea me ka kushtuar mjaft, 17 vite mbrapa. Ndarja me ex-en në vitin 2007, edhe ajo me kushtoi 10 vite regres në jetë. Jeta është më e bukur kur e rifillon nga e para.
Nga ndarjet nuk përfiton asnjëra palë, të dyja palët në ndarje vuajnë dhe humbin shumë.
Nuk mendoj se gratë duhet të dhunohen, edhe se kanë lindur dhe duan të jenë tradhtare. Ato i bëjnë më shumë dëm vetes se partnerit.
Pas shumë vitesh në SHBA, u kthyet në Shqipëri e më pas u rikthyhet në New York. Çfarë nuk di publiku për Frederik Ndocin?
U ktheva ne 2006 dhe mendova gabimisht se Shqipëria kishte ndryshuar…
Nga njëra anë isha i dërrmuar spiritualisht, pasi regresi i ndarjes më dërgoi mbrapsht, si në lojën”mos u nxeh”.
Unë mendoj se bëra mire, sepse riktheva pozicionin tim si artist aty që duhet të ishte, p.sh. fitova të drejtën për në Festivalin Europian, mora pjesë në qindra spektakle ku rregjistrova me qindra këngë të reja, njerëzit morën vesh për arritjet e mia nëpër botë. Njoha shumë më tepër, shumë prej atyre që më parë i konsideroja miq, por që në të vërtetë ishin dhe do jenë armiqtë e mi në përjetësi (zoti pastë mëshirë për ta). Arrita të këndoj për Papa Franceskun 6 kangë, ku dy ishin këngët e krijuara nga unë, kompozova këngë të ndryshme për vete dhe për artistë të tjerë.
Gjithashtu, mora disa çmime të para vetë dhe disa këngëtarë të tjerë i kenduan dhe u vlerësuan, p.sh Hersi Matmuja, “Ah jet, oh jetë” dhe “Nate moj nate”, A.Prifti, çmim “pasuri e pasurive, Jana Toma,”Kush jam”, Gjeni Mjeda ,tre cmime dhe një të dytë nëShkoder, dhe dy çmime të para në Mal të Zi dhe në Vojvodinë.
Po ashtu më njohën njerzit edhe si poet, edhe si filantrop, edhe si kantautor, edhe si euridit në fusha dhe shkenca të ndryshme, si p.sh.konferenca e parë botërore për studimin e pellazgeve 2011, ku u zgjodha si anëtar i Kryesisë së komisionit drejtues deri në kongresin e dytë.
Nga ana tjetër bëra edhe keq, sepse “atë vend edhe dreqi nuk e ha” (nje shprehje e imja kjo)
Atje kanë ndryshuar shumë gjëra vërtet, por komunistët dhe bijtë e tyre kanë mbetur të njëjtë, ndoshta edhe më të këqij se baballarët e tyre.
A keni ndërmend që një ditë të ktheheni sërish në Shqipëri?
U ktheva vjet, dhe policia me armë në dorë, me anti-plumb në gjoks e me helmete në kokë, më ndaloi këngën në gjysëm në ora 21:00, me pretendimin se kishin marrë urdhër nga kryeministri. Populli i irrituar e nxorri policinë jashtë, dhe unë vazhdova atë natë, por të nesërmen në ora 19:00 para lokalit ku kendoja dhe mblidheshin çdo natë 350-400 vetë, ishin 150 forca policore që nuk lejonin askend të hynte më në lokal. Unë do kthehem, por pasi Trump të ketë pastruar sa më shumë komunistë këtu në USA dhe në Shqipëri. Por vjedhurazi do vij, vit për vit atje.
Prej shume vitesh jeni anëtar aktiv i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, cili është roli që ka sot Vatra në komunitetin shqiptar në Amerike dhe sa vendimtare është kjo federate për problemet brenda dhe jashtë vendit?
Vatra si organizate jo politike i ka patur të qarta gjithmon misionet e veta, pasi ka disa.Ajo është e vetmja organizatë shqiptare që njihet dhe përkrahet nga shteti amerikan, dhe Vatra me vatranët e duan USA dhe presidentin e saj, Donald Trump. Politikat e 70 viteve të fundit në përgjithsi nuk e kan njohtur Vatrën dhe e kanë cilesuar organizatë reaksionare, por Vatra kurdoherë është pro nacionaliste shqiptare dhe dënon ashpër çdo veprim antishqiptar të qeverive. Së shpejti ne do të vëmë në funksion një zyrë Vatra në Tiranë, ku të pasqyrohet me detaje çdo veprimtari.
A ka një projekt që jeni duke punuar ? Mund të na thuash diçka pak më shumë rreth këtij projekti?
Jam duke xhiruar disa plane dhe skena në nië film hollywoodi-an, serial. Ku do të jem edhe kompozuesi i muzikës së filmit, dhe po punoj për të parakompozuar plane dhe tema te ndryshme muzikore të filmit. Kam në projekt edhe krijimin e një albumi me këngë të reja.
Por projekti më i madh është të riunifikoj familjen në USA, dhe jam në fund të procesit që më ka kushtuar 20 vite shkurtim jete.
Nëse keni ndjekur shqetësimin e komunitetit të artistëve lidhur me problemin e godinës së Teatrit Kombëtar të kthyer tashmë në një debat publik, cili është mendimi juaj?
Tema e Teatrit ka disa aspekte që unë jam pro dhe kundra. Shpesh politikanët shqiptarë për të hipur në karrige, për rrotacione politike, kanë gjetur një pretekst për t’u kapur pas tij dhe për të qenë sebep konflikti.
Çdo njeri ruan një kujtim a suvenir nga e shkuara, dhe nuk e ka të lehtë ta flakin tej. Ashtu edhe Teatri është nje ikonë e vjetër, por që artistët nuk e kanë të lehtë t’i kthejnë shpinën, edhe pse tashmë është tejet i vjetruar. Por Teatri i ri a do ketë të njëjtën akustikë? Doemos jo! Sepse ndërtuesit nuk i duhet kjo, por i duhet ndërtimi.
Sa është e drejtë dhe e domosdoshme shembja e tij, këtë e dimë të gjithë, por sa nuk i duam pushtetarët e me dhunë duan ta prishin, kjo është tjetër gjë.
Teatri Kombëtar duhet të shembet pas Piramidës që u ndërtua për E.Hoxhën. Tani, të ruash njërën, shtëpinë e partisë, dhe ta shembesh Teatrin është paralelizëm qesharak.
Nga ana tjetër, po kujt demokrati i rruhet për Teatrin, perveç dy-tre aktoreve që ishin pro mos prishjes. Vetëm teatrot dhe artistet janë kundër, ndërsa pjesa tjetër janë pro prishjes…Them unë.