Isha adoleshent kur dëgjova për herë të parë përgjigjen e Ajnshtajnit për teorinë e kuanteve: “Zoti nuk luan zare me universin”.
Si shumica e djelmoshave adoleshentë me prirje nga shkencat ekzakte, unë e nderoja Ajnshtajnin dhe u habita kur mora vesh që ai besonte në Zot. Ky fakt vuri në pikëpyetje skepticizmin tim fetar, ndaj kërkova shpjegim nga mësuesi im i lëndëve shkencore në shkollën e mesme.
Përgjigja e tij: “Zoti i Ajnshtajnit është Zoti i Spinozës”. “Ç’kuptim ka kjo? – pyeta. – Kush të jetë Spinoza vallë?” Mësova se Spinoza ishte një filozof i shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe pionier i revolucionit shkencor. Edhe pse shpesh ai i referohej Zotit nëpër shkrimet e tij, komuniteti hebre e kishe përjashtuar për herezi në moshën njëzetekatërvjeçare dhe shumë dijetarë, për të mos thënë shumica e tyre, e shikonin si një ateist të fshehtë.
“Do të ishte e rrezikshme, -më tregoi mësuesi, – që Spinoza të shprehte skepticizmin e tij për ekzistencën e Zotit në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ndaj ai e mbronte veten duke futur shpesh fjalën Zot.” Megjithatë, sa herë Spinoza përdor fjalën “Zot”, shumica e dijetarëve e kuptojnë se ai nënkupton ligjet e rregullta të natyrës.
Irvin D. Yalom – “Rrugëtim drejt vetvetes” (Kujtimet e një psikiatri)