Së pari, dija vlerën vetes!

Së pari, dija vlerën vetes!

Shkruan: Flogerta Krypi, shkrimtare

Për çdo vajzë e grua dua të them veç kaq: Për të fituar lirinë nga dhu*na në familje mos u martoni me të parin që iu del përpara. Nuk po fiton lirinë, po e shet atë.

Investoni në arsimin dhe edukimin tuaj, në rradhë të parë për të qenë njerëz më të mirë, për të vlerësuar veten si duhet dhe për të krijuar një personalitet identifikues tuajin.

Rrobat e shtrenjta, telefoni më i fundit në treg, “make up profesional” dhe pjeshklliku nuk ka për t’iu bërë as njerëz më të mirë as më të vlerësuar. Në fund të ditës unë besoj që çdokush do mbaj mend një shpirt dhe jo një fytyrë apo një send.

Mos prisni që dikush t’iu rregullojë jetën. Trajtoje veten si princesha që nuk je. Nuk ka “princa” që vijnë për të të nxjerrë nga “ferri” apo t’iu shpëtojnë. Duhet ta pyesësh mirë veten nëse kërkon dikë të të blejë apo të të dashurojë.

Puno. Njihja vlerën vetes. Paratë e askujt nuk do të bëjnë më të lumtur se ata që ke fituar vetë.

Mëso të menaxhosh kohën tënde. Asgjë nuk vlen më shumë se koha. Askush nuk do ta kthejë atë pas. Ndërto kujtime. Kur fundi të vijë veç ato do të mbesin. Në frymën e fundit ato do të kesh pranë.

Ji e fortë dhe mos kij frikë nga vetmia. Mos kij miq apo të dashur thjesht sepse ke frikë të qëndrosh vetëm. Çmoje vetminë. Ajo është e vetmja gjë që nuk të braktis kurrë.

Mos lejo askënd të të dhu*nojë. Në asnjë lloj forme, as fizikisht, as verbalisht, as mendërisht. Mos lejo askënd të të trajtojë si plaçkë që ka vlerë veç në rrethana të caktuara.

Duaje veten siç je, me puçrra, pika, flokët lëmsh. Ti je e bukur. Personaliteti nuk vishet me rroba, por vlera.

Mbi të gjitha lexo. Dija është rruga më e bukur e lirisë.