Sot është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të 38-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku janë mbledhur studiues të shumtë nga vende të ndryshme.
Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja shkencore, kulturore më e madhja dhe me traditën më të gjatë në Kosovë. U themelua 45 vjet më parë nga profesorët e Fakultetit të Filologjisë dhe që nga atëherë është referenca kryesore e studimeve albanologjike në botë.
Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi tha se seminari i sivjetmë sikurse edhe 37 edicionet e kaluara është edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjiku të nisur këtu e 45 vjet më parë.
Munishi theksoi se sot shënohet një jubile, janë 45 vjet që kur ka filluar organizmi i këtij aktiviteti mbase më i rëndësishmi në fushën e albanologjisë.
“Edhe sivjet Seminari ka arritur të mbledh dashamirë të shumtë të gjuhës, të letërsisë, kulturës e historisë shqiptare nga shumë vende të botës, duke vazhduar kështu të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare. Këtë vit ka pasur dashamirë të shumtë të seminarit nga shtete të ndryshme të botës, si nga Rusia, Çekia, Serbia, Gjermania, Holanda, Italia, Bullgaria, Sllovenia, Turqia, Rumania, Letonia, Ukraina, Maqedonia, Suedia, Finlanda dhe Kroacia. Të cilët kanë shprehur dëshirën dhe interesimin e tyre për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë”, deklaroi Munishi.
Linditë Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë u shpreh se ky seminar për 45 vjet traditë, ka rritur të afirmojë gjuhën dhe kulturën shqipe, ku është bërë edhe vlerë e dëshmuar ndërkombëtare.
“45 vjet më parë, pas organizmit të seminarit të parë ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë, Fakulteti i Fiziologjisë si organizator kryesor i këtij aktiviteti të madh shkencor dhe kulturor të albanologjisë do të vazhdoj të frymoj me produktin tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Sesionet shkencore, referimet, tryezat shkencore. Ligjëratat e veçanta dhe kurset gjuhës shqipe, aktivitetet kulturore dhe arkëtuese janë shtyllat themelore që ne e konsiderojmë si pjesë të programit të Seminarit”, tha Rugova.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynir Koni, i cili ndihet i kënaqur që Universiteti i Tiranës bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme në realizimin e këtij seminari, duke kontribuar në aktivitetet e ndryshme.
“Është kjo periudhë kohore 45 vjeçare ku elita e studiuesve të kulturës së gjuhës shqipe kanë bërë të mundur ta mbajnë gjallë dhe të komunikojnë fuqishëm në studimin e kulturës tonë shqiptare, duke bërë më të ndjeshme problematikat shqiptare. Pra, duke ndërkombëtarizuar atë, në aspekte të ndryshme”, tha Koni.
Po ashtu, edhe nënkryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovë, Jusuf Bajraktari në hapje të seminarit mbajti një fjalë raste para të pranishmëve.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të jetë i hapur deri më 30 gusht./I Shabani/