Nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, Nënë Tereza do të shenjtërohet nesër (të dielën) nga Papa Françesku në Vatikan. Në ceremonitë e shenjtërimit pritet të marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Për arsye të rrënjëve të saj, Nënë Teresa bën krenarë shumë shqiptarë, të cilët pritet të marrin pjesë masive në ceremonitë e Vatikanit. Por cila ishte Nënë Tereza dhe përse bota po i kushton asaj kaq shumë vemendje?
Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.
Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.
Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv.
Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.
Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.
Procesi i shenjtërimit të Nënë Terezës u përshpejtua vetëm një vit pas vdekjes së saj.
Marco Politi, është korrespondent i Vatikanit për gazetën “Il fatto Quotidiano”:
“Mendoj se kjo ka rëndësi jo vetëm për besimtarët, por edhe për jo-besimtarët, sepse në ditët e sotme është bëtë tepër e vështirë të thuhet se si duhet përshkruar Zoti, ç’është Zoti dhe cila është marrëdhënia midis tij dhe njerëzve.”
Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, që sot ka 130 shtëpi në të gjithë botën.
Nënë Tereza fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 për punën e saj me të varfërit dhe të sëmurët e Kalkutës, punë që vazhdoi edhe pasi ajo vetë u sëmur. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeçare.
Në atë kohë, urdhri i saj kishte rreth 4,000 murgesha dhe administronte rreth 600 jetimore, mensa, strehimore dhe klinika. /Voa