Shfaqet premiera e filmit më të ri “No time to die” në Tiranë

Shfaqet premiera e filmit më të ri “No time to die” në Tiranë

Filmi i fundit i Daniel Craig në rolin e James Bond,  pati mbrëmë premierën e tij edhe në Tiranë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori  i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishin mikpritësit e veçantë të të ftuarve VIP, të cilët u bënë pjesë e shfaqjes premierë.

Në fjalën e mbajtur në fillim të eventit, Veliaj tha se me premierën e këtij filmi nis edhe një “sprint” marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.

“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me 2 tërmetet, me pandeminë, por tani është koha që të rihapemi, është koha të festojmë, të njohim miqtë, të fillojmë nga e para dhe është koha të ringrihemi. Me këtë aktivitet të parë, jo vetëm bëjmë prezantimin e ambasadorit të ri britanik në Tiranë, por fillojmë edhe një stinë aktivitetesh, që vetëm fillimin e ka te filmi i sotëm”, tha Veliaj.

Filmi “No time to die”

Ai shtoi se vitin tjetër ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, shumë prej te cilave do të jenë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe.

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se kjo premierë filmi, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Britanisë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori  i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith.

“Po e nisim me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo jo vetëm në rangun e qeverive, por gjithashtu edhe bashkimin e njerëzve. Ndaj, do të shohim mënyrat për të ndërtuar marrëdhënie të përbashkëta më të forta dhe më të ngushta mes dy vendeve”, pohoi Smith.

Të gjithë të ftuarit u paraqitën në event me certifikatën e vaksinimit të Covid 19.

Filmi i “James Bond” “No time to die” pati premierën e tij botërore në Londër, 18 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar sepse u vonua nga pandemia.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori  i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith dhe musafirët

Filmi është përshkruar nga kritikët si “një fund i përshtatshëm për epokën e Craig”, pak kohë pasi doli lajmi se kush do të jetë aktori që do të luaj rolin e James Bond.

Komentet e publikuar nga fansat e përkushtuar të filmave të Bond thonë: ‘James Bond ishte i shkëlqyeshëm. No time to die është një film i veçantë, special dhe një fund perfekt i karrierës të Daniel Craig si Bond./Insajderi.com