Shfaqja muzikore mbi jetën e Bob Marleyt, inskenohet vitin e ardhshëm në Londër

Shfaqja muzikore mbi jetën e Bob Marleyt, inskenohet vitin e ardhshëm në Londër

Një mjuzikëll i ri i inspiruar nga jeta dhe muzika e legjendës së zhanrit reggae, Bob Marley, do të debutojë në Londër vitin e ardhshëm.

Shfaqja muzikore me titull “Get Up, Stand Up!” do të debutojë në skenën e teatrit “Lyric Theatre” nga 6 shkurti i vitit 2021, pikërisht në ditën kur muzikanti i ndjerë do ta shënonte ditëlindjen e 76-të, transmeton Koha.net.

Historia e ngritjes së Marleyt drejt suksesit po inskenohet nga dyshja e shpërblyer me çmim “Olivier”, Lee Hall dhe regjisori Dominic Cooke, ndërsa aktori dhe dramaturgu Arinzé Kene do ta luaj rolin e Marleyt në këtë projekt.

Duke e përshkruar mjuzikllin i cili to t’i përfshijë hitet klasike të këngëtarit si, “Three Little Birds” dhe “No Woman No Cry”, Kene tha: “Ndihem i nderuar që do të kem mundësi ta portretizoj këtë rol. Për mua, jo vetëm që është kënaqësi e veçantë ta shpërndaj mesazhin e Bob Marleyt edhe më shumë, por mundësia për ta portretizuar atë për një kohë, është një ëndërr e kamotshme e imja e shndërruar në realitet. Jam rritur me muzikën dhe këshillat e tij, dhe lirisht mund të them se Marley ka qenë një shembull për mua që nga fëmijëria. Ndjej sikur e kam brenda në AND. E dua atë vërtetë shumë”.

Edhe anëtarët e familjes së këngëtarit legjendar, përfshirë këtu vajzën e tij Cedella Marley, e kanë mirëpritur realizimin e këtij mjuziklli duke deklaruar se janë të lumtur që do ta sjellin historinë e tij te gjeneratat e reja.

Biletat për shfaqjen “Get Up, Stand Up!” do të dalin në shitje nga 21 prilli i këtij viti.