Gjashtëdhjetë vjet pasi laureati francez i çmimit Nobel, Albert Camus (Alber Kamy), vdiq në një aksident trafiku në moshën 46 vjeçare, një libër i ri argumenton se ai ishte vrarë nga spiunët e KGB-së pas retorikës së tij sertë anti-sovietike.
Shkrimtari italian Giovanni Catelli e lansoi një teori të tillë në vitin 2011, duke shkruar në gazetën Corriere della Sera që e kishte zbuluar një gjë të tillë në ditarët e poetit të famshëm çek, Jan Zabranas, që kishte nënkuptuar se vdekja e Kamysë nuk kishte qenë aksident. Tash, Catelli e ka zgjeruar hulumtimin e tij në një libër që quhet “Vdekja e Kamysë”, përcjell Periskopi nga The Guardian.
Kamyja vdiq më 4 janar 1960 kur botuesi i tij Michel Gallimard e humbi kontrollin e veturës së tij duke u përplasur në një pemë. Shkrimtari i famshëm ishte vrarë menjëherë, ndërsa Gallimardi pak ditë më vonë.
Tri vjet para kësaj ngjarjeje tragjike, shkrimtari i “Të Huajit” dhe “Murtajës”, kishte fituar çmimin Nobel për “përndritjen e problemeve të ndërgjegjjes njerëzore në kohët tona”. Catelli beson që një pasazh në ditarët e Zabranas shpjegon se pse kishte ndodhur vrasja e Kamysë.
Në verën e vitit 1980, një njeri me lidhje të forta i kishte thënë poetit se shërbimi sekret rus kishte pasur përgjegjësinë për vrasjen e francezit të famshëm. Urdhëri pretendohet se është dhënë nga Dmitri Shepilov, ministri i punëve të brendshme në Bashkimin Sovjetik, për shkak të një artikulli të botuar nga Kamy në gazetën franceze Franc-Tireur të botuar në muajin mars 1957.
Kamyja publikisht ishte bërë me kryengritjen hungareze që nga vjeshta e vitit 1956, për shkak se ishte tepër kritik ndaj veprimeve të Sovjetikëve në trazirat në Hungari. Ai po ashtu e kishte mbështetur shkrimtarin rus, Boris Pasternak, i cili ishte parë si anti-sovjetik.