Shkrimtarja zvicerane Silvia Hüsler këshillon prindërit shqiptarë që me fëmijët e tyre të komunikojnë sa më shumë në gjuhën e tyre amtare dhe të lexojnë me ta tregime e vjersha në gjuhën shqipe.
Silvia Hüsler shkruan dhe ilustron vet libra për fëmijë. Ato i ka të përkthyera në mbi 50 gjuhë, në mesin e të cilave edhe në gjuhën shqipe.
Librat e shkruar dhe të ilustruar nga Hüsler, që është pioniere e pedagogjisë Interkulturore në Zvicër, janë libra mësimorë për nxënësit e shkollave të kantonit të Cyrihut.
Hüsler njihet me kulturën shqiptare që nga viti 2000, kur gjatë një vizite në Portugali me studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut i lindi ideja që të mblidhte vargje dhe vjersha për fëmijët të cilët flasin gjuhën portugeze e banojnë në Zvicër të cilën ide pastaj e shndërroi në projekt.
Ajo pas kthimit në Zvicër dhe prezantimit të projektit para studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike, njoftohet me shqiptarin Mahir Mustafa, për të cilin thotë se “spontanisht më propozoi që të bëjmë një projekt edhe në gjuhën shqipe.
Kështu lindi libri me titullin “Princesha Ardita” i botuar në vitin 2001 i cili është një tregim në gjuhën shqipe dhe atë gjermane, shkruan Albinfo.ch.
Hüsler ka vizituar edhe trojet shqiptare.
“Vizitën e parë e bëra në Shqipëri diku kah viti 2000 bashkë me një numër të madh të zviceranëve të cilët kishin interes ta vizitonin Shqipërinë. Ishte një përjetim shumë i veçantë”, tregon ajo.
Në vitin 2012, ajo ka vizituar edhe Kosovën.
“Gjatë këtyre vizitave takova shumë nxënës, mësimdhënës e banorë nga regjione të ndryshme. Natyrisht, e kisha mundësinë që të mblidhja edhe vargje e vjersha origjinale shqipe për fëmijë”, shtoi Hüsler në një intervistë për Albinfo.ch.
“Faleminderit”, është fjala e vetme shqip që e dinte ajo kur vizitoi shqipërinë.
Gjatë një bisedë me një kamerier në aeroportin e Tiranës, te i cili ajo porositi një kafe ishte hera e parë kur ajo e përdori fjalën “Faleminderit”.
Për Hüsler, si pedagoge, është jashtëzakonisht e rëndësishme që gjuha amtare e nxënësve me prejardhje të huaj me banim në Zvicër të ketë vendin meritor në përditshmërinë e shkollave ku ata ndjekin mësimin.
“Një bashkëpunim i shkollave dhe prindërve është shumë i nevojshëm në mënyrë që t`u mundësohet edhe prindërve një pjesëmarrje aktive në procesin mësimor dhe në arsimimin e fëmijëve të tyre. Kjo do ta përforconte dhe avanconte gjuhën e familjes, pra gjuhën e parë me të cilën janë rritur fëmijët”, tha pedagogia Hüsler.
Silvia Hüsler këshillon prindërit shqiptarë që me fëmijët e tyre të komunikojnë sa më shumë në gjuhën e tyre amtare dhe të lexojnë me ta tregime e vjersha në gjuhën shqipe.
“Vetëm kështu mund tu pasurohet atyre fjalori i gjuhës dhe t`u krijohet një bazë e mirë edhe për mësimin e gjuhëve të huaja siç është edhe gjuha gjermane. Po ashtu, shton ajo, është shumë e rëndësishme që fëmijët të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe”, thotë ajo. /Insajderi.com