Shota me shumë çmime ndërkombëtare, problem po u shkakton mosliberalizimi i vizave

Shota me shumë çmime ndërkombëtare, problem po u shkakton mosliberalizimi i vizave

Me valle e këngë folklorike, këta artistë promovojnë Kosovën në rajon dhe më gjerë. Pas çdo festivali kthehen me shpërblime, e vitin 2018 po e përmbyllin me disa çmime ndërkombëtare.

Por, vallja dhe zëri i tyre shpesh po pengohet në kufij. Sepse edhe për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, mosliberalizimi i vizave po paraqet izolim.

Drejtori i këtij ansambli, Shefqet Gjocaj, në një intervistë për KosovaPress thotë se “Shota” po ftohet edhe në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por sipas tij, shteti i Kosovës nuk po u ofron përkrahjen e nevojshme.

“Shteti i Kosovës duhet të investojë më tepër në atë që quhet diplomaci kulturore, që ndonjëherë është shumë më e rëndësishme, për shembull ansambli ‘Shota’ të përfaqësojë kulturën atje, se sa të shkojë i gjithë parlamenti i Kosovës në takime. Është tepër më e rëndësishme sepse përmes artit, përmes sportit dalin ambasadorët më të mirë, sidomos në vendet e vogla të cilat janë të pafuqishme… Konsideroj se në këtë drejtim i kemi dy telashe të mëdha, për viza, dhe telashja më e madhe është për buxhet”, thotë Gjocaj.

Gjocaj thotë se procesi i rizgjedhjes së drejtorëve dhe mungesa e buxhetit u bënë shkas për zvarritjen e disa aktiviteteve, që megjithatë, ia dolën t’i realizonin.

Për ansamblin “Shota” vazhdon të jetë problem mungesa e kodit buxhetor që do të menaxhohej nga vetë ansambli.

Ndërkaq, rregulloren për gradimin e punëtorëve të kulturës, Gjocaj e cilëson si të keqe dhe të papërmirësuar.

“Sa i përket rregullores për gradimin e punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar me ngritjen e pagave, konsideroj që është rregullore e keqe e cila nuk është përmirësuar fare si rregullore. Janë ngritur pagat mbi bazën e asaj që kanë qenë, ndërkaq nuk është bërë as harmonizim e as kategorizim në kategori të caktuara artistike, dhe si rezultat i kësaj ka edhe pakënaqësi”, deklarohet Gjocaj.

Krahas sfidave, ansamblit “Shota” nuk po i mungojnë sukseset. Gjocaj tregon se çmimet e mirënjohjet tashmë janë bërë rutinë për ta, e thotë se nuk ndodhë që të kthehen nga ndonjë festival pa u shpërblyer.

Edhe këtë vit, ata morën pjesë në disa festivale, e së fundmi, në “Vitosha Folk Fest 2018”, në Bullgari, ansambli “Shota” triumfoi me katër çmime kryesore.

“Shota ka shkuar në Vitosha, në Sofja dhe atje ka ngadhënjyer, praktikisht nga pesë kategori ka ngadhënjyer me katër prej tyre, siç ishin Ansambli më i mirë, Muzika më e mirë, Veshjet më të bukura dhe valltarja më e mirë e festivalit, që u shpall valltarja jonë Valentina Haziri”, tregon Gjocaj.

Ndërkaq, 20 vjetori i epopesë së UÇK-së dhe 550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut ishin ndër ngjarjet që karakterizuan vitin 2018. Edhe për ansamblin “Shota”, këto dy ngjarje u bënë frymëzim për dy koreodrama, që pavarësisht sfidave, arritën të shfaqeshin para publikut.