“Shpia e Agës” në Karlovy Vary – sukses i kinematografisë së Kosovës

“Shpia e Agës” në Karlovy Vary – sukses i kinematografisë së Kosovës

Projektet filmike shqiptare po çajnë fuqishëm rrugën drejt festivaleve ndërkombëtare të filmit. I tillë vjen edhe filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës” me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt, i cili do të hapë konkurrencën “East of the West” të edicionit të 54-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Karlovy Varyt në Çeki.

Gara e sivjetme e “East of the West” prej 28 qershorit deri më 6 korrik zhvillohet në mes të 12 filmave, 8 prej të cilëve janë debutues.

“Filmi i hapjes është ‘Aga’s House’, filmi i gjatë debutues i regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj, që rikrijon vërtetësisht botën vibrante të protagonisteve energjike femra”, shkruhet në faqen zyrtare të festivalit.

“Hapja e konkurrencës ‘East of the West’ në Karlovi Vari (Karlovy Vary) me filmin e Lenditës është momenti më i rëndësishëm i radhës për kinematografinë kosovare”, ka vlerësuar Qendra Kinematografike e Kosovës nëpërmjet njoftimit për media.

Sipas sinopsisit që ka prezantuar QKK-ja, në qendër të filmit është Aga (Arti Lokaj), një nëntëvjeçar i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit. Ai mëson serbisht nga Zdenka, një grua e nacionalitetit tjetër, në mënyrë që ta gjejë babanë e tij për të cilin mendon se është në burg, në Serbi, koha.net

Në “Shpia e Agës” luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno e të tjerë.
Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese “N’art Films” mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit “Woof Films” nga Kroacia, “Sacrebleu productions” nga Franca, si dhe “Ska-Ndal Productions” dhe “SY13 Films” nga Shqipëria mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.