Pas premierës në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari në Republikën Çeke, filmi “Shpia e Agës”, i skenaristes dhe regjisores Lendita Zeqiraj, nga 20 gushti ka filluar të prezantohet edhe para publikut kosovar, si pjesë e programit të rregullt në Kinemanë “Cineplexx”.
“Shpia e Agës” ka zgjuar interesim të madh në Festivalin ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vary ku ka marrë dhjetëra kritika pozitive nga mediat botërore, ku njëherit edhe është shpërblyer nga Federata Europiane e Kritikëve të filmit – FEDEORA. Tashmë filmi i ka të konfirmuara mbi 30 pjesmarrje në festivale prestigjioze të filmit në Kanadë, Gjermani, Francë, Kurdistan, Maqedoni, Spanjë, Slloveni, Shqipëri etj.
Nga: Shikhar Verma
Filmi i gjatë debutues i skenaristes-regjisores kosovare, të shpërblyer me shumë çmime, “Shpia e Agës” rrëfen tregimin e një djali i cili rritet në një shtëpi të mbushur me gra. I gjallë, zbavitës dhe që në fund të copëton zemrën, lëvizja e Zeqiraj nga filmat e shkurtë është një dramë madhështore mbi atë se si bashkë-ndjesia jo vetëm që shëron, por në fund edhe të bën më të pjekur.
Filmi hapet me një pamje shumëngjyrëshe të botës. Aga (Arti Loka) – një djalë i vogël i pafajshëm është vetë, duke u kënaqur në një ambient të natyrshëm. Ai shet cigare dhe ndonjëherë mariuanë vendasve. Ato i mban gjithë me vete që të fitoj diçka shpejt. Dëshira që ta shoh prapë babanë e tij është synimi kryesor në jetë. Tjetra, natyrshëm, është të kuptoj nëse duhet të jetë i ndjeshëm, i dëgjuar apo autoritativ. Duke qenë i rrethuar nga 5 gra, kuptimi i tij mbi botën është i turbullt, për të mos thënë i shtrembëruar.
E vetmja anë tjetër e jetës që ai sheh është përmes syve të Cerës së vrazhdë dhe të dhunshëm (Basri Lushtaku). Në këtë mes janë edhe katër gra shqiptare dhe një serbe në depresion dhe me prirje vetvrasëse, e cila i kalon ditët duke ëndërruar të shoh vajzën e saj me të cilën nuk mund të jetë. Në fakt, të gjitha këto gra kanë ikur nga diçka apo dikush dhe janë shtyllat e vetme mbështetëse për njëra tjetrën. Edhe kur në pjesën e dytë të filmit ato pështyjnë helm në njëra tjetrën, është shumë e lehtë të shihet që ekziston një damar i bashkë-ndjesisë që i lidh ato së bashku.
Megjithatë, Zeqiraj mban gjithçka në nivel shumë delikat. Konteksti socio-politik është aq mirë i përbrendësuar në realizëm saqë asnjëherë nuk duket i sforcuar. Dhe pikërisht për këtë, kur skenari luan me një botë potencialisht vrasëse, ai asnjëherë nuk shpërndahet në hapësirë të hirtë. Filmi tregon shpresën dhe mungesën e saj brenda një kuadri, në mënyrë që shpejt të balancoj peshën dramatike të një skene të caktuar, duke e ngritur atë edhe më shumë se sa do të ishte e mundur.
Në vetëm filmin e saj të parë të gjatë, Zeqiraj tregon potencial të madh – edhe si skenariste, por edhe si regjisore. Skenari është i shkruar me shumë mprehtësi, me sekuenca që do të tingëllonin pavend nëse vetëm do të dëgjoheshin, por funksionojnë tërësisht në planin e të gjitha aspekteve. Për shembull, kur Aga vendos t’a braktis Cerën e ngecur, askush nuk do të besonte se ai do të kthehej prapë. Gjithashtu, kur ai kthehet, skenari është kthyer plotësisht në anën e kundërt. Pra,
edhe kur Zeqiraj kthehet prapë në skenën tashmë të vendosur, ajo e pastron terrenin për konflikte të reja.
Vendimet regjisoriale gjithashtu janë briliante. Ajo asnjëherë nuk mundohet të luaj me pafajësinë e Agës. Në fakt, secila skenë – deri edhe në vet klimaksin e saj shpërfaq kërshërinë e Agës, pafajësinë dhe bashkë-ndjesinë që ai ka mësuar nga gratë rreth tij. Ajo nuk e vë atë në situata në të cilat vendimet e tij mund të duken të tepruara. Rënia e narrativit vjen vetëm kur gratë dhe historitë e tyre vëhen në fokus.
Stili i kamerës së dorës funksionon për pothuajse gjithë filmin, por momentin kur tenton të thellohet në karaktere dhe të tregoj rrugëtimet e tyre, ai ndjehet pak i ngathët. Për një film që fokus ka gratë, skenat më të rëndësishme janë mes dy meshkujve në film. Kjo nuk heq asgjë nga narrativi qëndror që fokusohet në vuajtjet e grave. Si një tregim i të mbijetuarave nga dhunimi, Shpia e Agës” shumicën e kohës mbetet delikat në trajtesë. Si rrëfim për një djalosh në kërkim të babait të tij, ai shkëlqen./Insajderi.com