Shqipëria dërgon historinë e minierës dhe rrugëtimin e kromit në Bienalen e Venecias

Shqipëria dërgon historinë e minierës dhe rrugëtimin e kromit në Bienalen e Venecias

Presidenti i Bienales së Venecias Paolo Baratta dhe kuratori i saj Ralph Rugoff këtë vit për edicionin e 58-të të Bienales kanë vendosur si titull të saj shprehjen kineze “Jetofsh në kohëra interesante”.

Kjo ka bërë që të gjithë pavijonet të cilat janë paraqitur të kenë lidhshmëri me temën e cila provokon idenë për të sfiduar kohën, por mund të konsiderohet edhe si një ftesë për të parë gjithmonë dhe për të shqyrtuar rrjedhën e ngjarjeve njerëzore në kompleksitetin e tyre. Mirëpo Pavijoni i Shqipërisë “Maybe the cosmos is not so extra ordinary” apo në shqip “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”  i realizuar nga artisti Driant Zeneli, e që është hapur sot në Bienale, ka ardhur si një përgjigje ndaj këtij titulli. Kur është fjala për kohën, vepra e realizuar nga Zeneli nuk dëshiron që të flas as për të kaluarën e as për të ardhmen, ajo fokusohet tek e tashmja.

Gjithë kjo erdhi përmes një trajtimi metaforik pasi që “Maybe the cosmos is not so extraordinary”, një video-instalacion skulpturor, në fakt në fokus të tij ka pesë fëmijë dhe sferën kozmike. Instalacioni zhvillohet nga një film me dy kanale, ngjarjet e të cilit zhvillohen në minierat e Bulqizës, një qytet në verilindje të vendit, ku, që prej vitit 1918, është nxjerrë minerali i kromit. Projekt i artistit Driant Zeneli, kuruar nga Alicia Knock sfidon marrëdhënien fizike dhe metafizike midis njeriut dhe hapësirës, materies dhe ëndrrës, gravitetit dhe kontrollit. Artisti Driant Zeneli tregoi për KultPlus se përfaqësimi i Shqipërisë në ngjarjen më të madhe të artit pamore, për të është një përgjegjësi e bukur.

“Është një përgjegjësi e bukur dhe kjo përgjegjësi ndahet me shumë miq të cilët kanë punuar më shumë se një vit me e sjellë këtë vepër e që titullohet ‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’. Mund të them se vepra ka lindur nga një bashkëpunim i jashtëzakonshëm i shume personave dhe pikërisht një nga gjanat kryesore që ka kjo vepër është se ju dedikohet njerëzve të cilët punojnë çdo ditë brenda në minierë dhe nxjerrin mineralet e kromit dhe na e sjellin neve në të përditshmen tonë që ta përdorim. ”, tha ai.

Vepra e Zenelit bazohet në një projekt shumëdiciplinar emërtuar “Beneath a surface there is just another surface”, i cili nisi në vitin 2015 në Metalurgjikë, një kompleks industrial dystopian, në qytetin e Elbasanit në Shqipëri. Projekti dhe titulli i tij rrjedhin nga novela fanatastiko-shkencore “Drejt Epsilonit të Eridanit” (1983) e shkruar nga fizikani dhe shkrimtari shqiptar Arion Hysenbegas.

“Titulli lind si një lloj përgjigje e kësaj thënies kineze e që është edhe tema e Bienales. Vepra nuk dëshiron me fol as për të kaluarën as për të ardhmen po për të tashmen. Vepra kërkon me fol për këta pesë fëmijë që e gjejnë një sferë kozmike në një fabrikë dhe pas kësaj fillojnë udhëtimin e tyre drejt trupit të një mali ku do të fshehin sferën kozmike. Në realitet është e gjithë historia e kromit dhe udhëtimi i tij nëpër vende të ndryshme”, theksoi Zeneli.

Pavijoni i Shqipërisë i zë vend afër pavijoneve të shteteve si Madagascar, Latvia, Malta, Philippines. Lidhshmëria e tematikave që shtjellojnë këto pavijone dhe të tjerat në këtë hapësirë, sipas Zenelit thekson se në kontekstin global të gjitha vendet kanë të njëjtat probleme dhe ajo që mbetet e rëndësishme është një bashkëjetesë e mirë.

“Në një kontekst global sot përjetojmë si të mirën si të keqen pra gjithë gjërat bashkë, këtu e kemi nda hapësirën me shtetet e tjera dhe kur e sheh në fund të fundit kemi të gjithë të njëjtat probleme, të njëjtat çështja, kështu që sot jetojmë në një hapësirë të vogël globale por ne duhet t’i ndajmë këto hapësira bashkë dhe të mendojmë si me bashkëjetua”, tha ai.

Pavijoni i Shqipërisë i cili është hapur të premten do të mund të vizitohet që nga nesër e deri më 24 nëntor, datë kjo që shënon edhe mbylljen e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias. Po ashtu nesër, më 11 maj do të bëhet edhe ndarja e çmimeve në kuadër të Bienales./KultPlus.com