Shtohen rastet me Coronavirus – a i lehtësoi shumë herët masat Kosova?

Me 7 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 296 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 40 raste të reja.

Shtohen rastet me Coronavirus – a i lehtësoi shumë herët masat Kosova?

Të dielën në mbrëmje Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi për shifrat e reja të të prekurve me COVID-19.

Sipas IKSHP-së, pasi u testuan 269 persona, 40 prej tyre dolën se janë të prekur me virus.

Edhe të shtunën IKSHP njoftoi për 36 raste të tjera pozitive.

Krahasuar me të premten, kur kishte 11 raste, shifrat e ditëve të vikendit janë rritje që paralajmëron se potencialisht mund të shpërthejnë vatra të reja epidemike.

E gjithë kjo për shkak të lehtësimit të masave që parashiheshin me fazën e tretë dhe të cilat filluan me 1 qershor.

Kosova nuk është vendi i vetëm që po ballafaqohet me rritje të numrit të të infektuarve, pasi ka lehtësuar masat.

Kështu ka ndodhur gati në të gjitha vendet e botës që kanë vendosur t’i lehtësojnë masat në mënyrë që t’iu japin frymë bizneseve, pasi ekonomia ka pësuar goditje të mëdha meqë shumica e bizneseve ose ndaluan aktivitetin, ose e reduktuan atë.

Me këtë shqetësim po ballafaqohen edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Prejse kanë filluar lehtësimet e masave dhe dalje më e madhe e njerëzve edhe shtete si Gjermania, Kina e Koreja Jugore, që fillimisht ia dolën ta menaxhojnë situatën me Coronavirus, kanë pasur rritje.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pati njoftuar në një konferencë për shtyp se “Kina e Gjermania, kanë raportuar rritje të rasteve prejse kanë lehtësuar masat”.

Tedors kërkoi në këtë konferencë për shtyp që secili vend “para se t’i lehtësojë masat, duhet fillimisht ta ketë epideminë nën kontroll, pastaj të sigurohet se sistemi shëndetësor i vendit mund ta përballojë numrin e rritur me të prekur dhe të ketë teste mjaftueshëm, infrastrukturë përcjellëse të rasteve dhe hapësira për izolim”.

Duke lënë të nënkuptohet, se është e pamundur që të mos ketë rritje të rasteve pas lehtësimit të masave, por thjesht duhet të ketë përgatitje të nevojshme për t’u përballur me këtë rritje.

Frika qysh nga fillimi ekzistonte se shtetet do të nguten për të lehtësuar masat në mënyrë që të fillojë ekonomia përsëri të qarkullojë në terme të rregullta, por nga OBSH-ja kanë kërkuar që shtetet të kenë qasje të kujdesshme dhe të ngadalshme në heqjen apo lehtësimin e masave, përkundër se kanë parasysh implikimin ekonomik që sjellë mos-lejimi i zhvillimit të aktivitetit ekonomik në potencialin e vet të plotë.

Me menaxhimin e pandemisë në Kosovë, tash e tutje do të merret ministri i ri i Shëndetësisë Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili e pason Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Zemaj që detyrën e mori me themelimin e Qeverisë së re të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti, sot, do ta vizitojë pikën kufitare të Kosovës me Shqipërinë në Vërmicë.

Vizita e Zemajt në pikën kufitare, ka për qëllim observimin e implementimit të masave të reja të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e situatës me virusin COVID-19.

Meqë ende nuk ka një plan se si të lehtësohen masat e në të njëjtën kohë të mos rritet numri i të prekurve, IKSHP ka kërkuar nga qytetarët që “në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme”, duke larë sa më shpesh duart, respektuar distancën fizike dhe duke përdorur dorashka e maska gjatë gjithë kohës sa frekuentohen vendet publike.

Insajderi.com