Sot nis “DokuFest”, para publikut do të shfaqen mbi 280 filma

Sot nis “DokuFest”, para publikut do të shfaqen mbi 280 filma

Prej sot e deri më 10 gusht mbahet edicioni i 18-të i festivalit të filmit “DokuFest”, ndërsa tematika e këtij edicioni është zgjedhur të jeta e vërteta.

Para publikut janë zgjedhur të shfaqen 282 filma, si dhe muzikë e panele të ndryshme ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha e festivalit “DokuFest”, Nita Deda tha se këtë vit ky festival do të ketë një program të larmishëm duke përfshirë ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.

Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, tha se nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 sish që do të garojnë në gjashtë kategori.

Sipas tij, risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të Prizrenit.

Nurkollari u shpreh se edhe këtë vit “DokuFest” do të ketë një festival muzikor që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.

Drejtori artistik njoftoi po ashtu se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë.

Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha e programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë viti. Ai tha se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore.

Linda Llulla, drejtoresha ekzekutive e “DokuFest”, u shpreh se krahas filmave dhe muzikës, publiku do të mund të argëtohet dhe edukohet edhe përmes paneleve të ndryshme që synojnë fuqizimin e të rinjve për tregun e punës.