Ismail Kadare përveç që është ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, ai vlerësohet edhe nga të huajt. Një spanjoll ka pesë vite që punon rreth një teme mbi veprën e Kadaresë. Ai është eksperti më i madh spanjoll që ka shkruar rreth këtij personazhi. Jose Carlos Rodrigo Breto ka bërë kërkime të shumta rreth Kadaresë.
Tema e doktoraturës e këtij spanjolli titullohet “Ismail Kadare dhe Strategjia e Madhe”, dhe janë gati 1000 faqe që i janë kushtuar shkrimtarit më të madh shqiptar, disa herë favorit për çmimin “Nobel”. Siç e përshkruajnë mediat spanjolle, puna e Rodrigo Breto është fascinuese, një punë shkencore, e cila nuk i është atribuuar asnjëherë Kadaresë më parë. “Janë gjithsej pesë vite punë në këtë temë timen mbi Kadarenë. Vitin e fundit kam shkruar, ndërsa vitet tjera kanë qenë vetëm kërkim dhe analizim i veprave të Kadaresë”, tregon Breto. Ai ka hapur edhe një blog online, ku tregon mbi analizat që i bën veprave të Kadaresë.
“Kadare i ka shpëtuar komunizmit me anë të letërsisë. Është shkrimtar paradoksal, unik. Puna e tij të shpëton prej totalitarizmit, por edhe të fut në totalitarizëm. Nëse do të shkruante në kushte të ndryshme, ndoshta nuk do të ishte i suksesshëm, por talenti është talent”, tregon Breto. Breto është vetë novelist, ndërsa tema e tij po pret të redaktohet. Ai është gati për t’u bërë “Doktor i shkencave” në Estudios Literarios në Madrid. Ai ka lindur në vitin 1967. (kultplus)