Në ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur është promovuar libri i titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” me rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur.
Ky libër përmbledhë historitë familjare dhe personale të dhjetë familjeve të personave të pagjetur në Kosovë.
Shtatë nga këto familje janë të nacionalitetit shqiptar ndërsa tre të tjerat janë nga komuniteti serb.
Aktorja Kaltrina Zeneli ka lexuar një përjetim të një qytetareje e cila tregon për tmerrin që kishin përjetuar në luftë.
“Dita e saj kishte filluar si zakonisht. Kishte shkuar ta mjelte lopën së bashku me burrin e saj. Gjatë asaj kohe kishte parë tek ndaleshin dy kamionë me njerëz me maska të cilin kishin pasur një shirit të gjelbërt“, citon ajo.
“Në atë moment ajo së bashku me bashkëshortin e saj kishin shkuar tek fëmijët brenda në shtëpi. Kunati i saj që poashtu kishte qenë prezent kishte pasur probleme me dëgjim dhe nuk i kishte dëgjuar urdhërat e atyre që i thonin të ndaleshin, ata ja banën nalu e ky s’ka ni. E gjujtën, e plagosën. Kanë hi mrena në shpi të mixhës, i morën dy djemtë e migjes, janë kanë tre. Prej aty hinen te kunati, gruja e tij u kanë tu i pastru fëmijët në banjo, aksham ish 19 e 30 mbrëmje, Nazifin e kapën të plagostë edhe kunatin tjetër e morrën. Erdhen e thirrën edhe burrin, i thash ik në katin e dytë, djalin e madh e nisha tu bërtit babë, babë, ata thoshin dil se veç jemi ardhë me ju këqyr a jeni në shpia”, është një pjesë nga rrëfimi.
Kurse Nita Luci, antropologe dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, thotë se ballafaqimi me këto tregime kërkon drejtësia dhe ata duhet ta ofrojnë institucionet.
“Ballafaqimi me këto tregime kërkon drejtësi e cila është po kjo drejtësia për të cilën po flasim që është drejtësia e vendosur brenda institucioneve që duhet ta ofrojnë atë. Kryesisht te ne diskutohet brenda kornizës tranzicionale. Ideja që përvojat, gjuha, tregimet janë shumë të rëndësishme”, tha ajo.
Ky libër është një rezultat i punës se organizatës nga forumZFD, Integra, QBPMZH, BMZM ,RBF dhe Ambasadës Zvicerane.
Libri është promovuar edhe në Beograd në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dober Dan”.