Thaçi thotë se dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime

Thaçi thotë se dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime

Hashim Thaçi ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushtëzime.

“Paqja dhe stabiliteti të arrihet pakushtëzuar jo duke u ankuar, dhe jo duke folur për të kaluarën, por duke shikuar të ardhmen e pakushtëzuar, të ardhmen e lirë dhe perspektivën evropiane”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se a e ka paraqitur presidenti Aleksandar Vuçiq heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut?

Ai pati të martën në Paris një takim të përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në kuadër të organizimeve të Forumit të Paqes këtu në Paris, presidenti i Francës, Macron ka marrë iniciativën sot që të zhvillojë një takim trilateral mes meje si president i shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë Vuçiq në një nga ambientet e organizuara nga presidenti Macron”, ka thënë ai për REL.

“Qëllimi i takimit ishte afirmimi i nevojës së dialogut Kosovë-Serbi, ristartimi i këtij procesi dhe mundësia eventuale e arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, me mundësi potenciale për Kosovën që të jetë pjesë edhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Unë vlerësoj lartë përkushtimin, zotimin dhe vendosmërinë e presidentit Macron që të lehtësojë këtë proces, si një prej udhëheqësve të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe botëror”.

Thaçi tha po ashtu se edhe pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, pala kosovare duhet të qëndrojë unike në vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Unë besoj se të gjitha institucionet do të jenë të fokusuara në shërbim të qytetarëve për një jetë më të mirë, jeta jonë nuk është relacioni me Serbinë, jeta jonë është ndërtimi i Kosovës, zhvillimi i saj, progresi, hapja e vendeve të punës, hapja e perspektivës së përgjithshme, reformat demokratike dhe e ardhmja evropiane. Ne nuk duhet që të gjitha energjitë t’i fokusojmë në dialogun me Serbinë, kjo është një nga çështjet, por e rëndësishme për të ardhmen dhe e paevitueshme”.

Ai tha se pret që marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda muajve./Insajderi.com