Trupndryshkuri që bartte shpirtrat e përzënë

Trupndryshkuri që bartte shpirtrat e përzënë

Nga Qëndrim Morina

(Adil Olluri, “Bartës i shpirtrave të përzënë”, roman, Botimet Artini (ribotim), Prishtinë, 2019)

Adil Olluri, shkrimtar dhe studiues i letërsisë ka trokitur në prozë me romanin e tij të parë “Bartës i shpirtrave të përzënë”.

Romani i tij është shumë kreativ dhe në një shkallë të lartê në fushën e rrëfimit. Romani është i shkruar në tri akte por me një pasqyrë shumê të qartë për vazhdimësinë e tij në hyrje të librit “Kthim te dritarja e vogël”. Këtu autori na jep pasqyrën e asaj që do të shohim në njëqind faqet e ardhshme të romanit.

Romani “Bartës i shpirtrave të përzënë” ndërtohet nga dy personazhe kryesore: Bardhyli, një arsimtar letërsie, burrë i mençur e i qetë nga karakteri, i mbyllur në vete që dehet në tymin e cigares. Tek i cili dashuria për jetë nuk është shabllon ndjenjash por melodi pranverore e mbyllur në kafaz. Ai është një krijesë prej mishi e gjaku që lëviz potershëm nëpër botën tonë mekatare dhe që ka nevojë për një hapsirë jëtësore; dhe, Valdetja, grua shumë e ngutshme si valë shpërthyese, kryeneçe e pandreqshme, e çuditshme dhe e pangopur për të qenë në dijeni për çdo gjë.

Pse romani “Bartës i shpirtrave të përzënë ” është i veçantë?

  1. ROMANI I OLLURIT ËSHTË I SHKRUAR NË VETËN E DYTË NJËJËS “TI”

Romani i Ollurit na jep një anë tjetër të rrëfimit, ai është i shkruar në vetën e dytë “Ti” dhe kjo është një veçanti shumë e madhe sepse është shumë e veshtirë të mbahet tempoja e rrëfimit në këtë vetë sepse rrëfimi mund të lëviz nga veta e parë në të tretë, mirëpo Olluri mjeshtërisht arrin të mbajë vetën e dytë që nga fillimi deri në fund të romanit. Veta e dytë këtë roman e bën edhe më të veçantë sepse ka shumë pak romane që shkruhen në këtë vetë.

  1. RRËFIMI I OLLURIT ËSHTË ZINXHIROR

Autori fillon të shkruajë romanin në mënyrë shumë të thjeshtë, pa ndonjë ngarkesë për lexuesin, ndërton rrëfimin zinxhiror në të cilin janë të lidhura hallakat njëra me tjetrën, gjë që prapë e bën të veçantë romanin sepse kohët e fundit jemi mësuar me prozë të gjerë, të mbushur me elemente fakultative,që e mërzisin lexuesin, mirëpo Olluri qëndron një hap më lart kundrejt kësaj.

  1. ROMANI “BARTËS I SHPIRTRAVE TË PËRZËNË” ËSHTË ENIGMATIK

Karakteristikë shumë e veçantë e autorëve të mëdhenj është se ata lënë shumë enigma për lexuesin në veprat e tyre. Një shembull të tillë kemi veprën “Krim dhe ndëshkim” të autorit Fjodor Dostojevski. I tillë është edhe Adil Olluri i cili përveç që jep shumë fakte për luftën e viteve ’98 – ‘99, ai në anën tjetër i lë shumë enigma lexuesit të cilat shërbejnë për kritikë dhe krijime të mendimeve të reja për romanin. Kjo i jep vlerë tjetër këtij romani.

  1. OLLURI KRIJON EDHE SHPREHJE TË REJA

Autorit përveç mesazhit shumë të qartë për ngjarjen reale të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ai gjithashtu edhe pasuron gjuhën më fjalë të përngjitura, të bashkuara (kompozita) të shumta. Ja disa prej tyre: Plumbshkrepësit, truphekuri, kapelëzi, vendfshehjet, hekurlëvizëse, vatërbraktisje, hekurndryshur, etj. Romani përveç që pasuron gjuhën me këto fjalë, ai mund të shërbejë edhe si objekt studimi.

Romani “Bartës i shpirtrave të përzënë ” gjuhës shqipe i ka dhënë edhe shprehje të reja, që e pasurojnë atë. Ja disa prej tyre: “I shikoj librat me vend sikurse një gjeneral që do t’ua jap lamtumirën ushtarëve të tij”(faqe. 29),”Nuk e di se si mund të flitet ndryshe në kohë lufte, ku jeta dhe vdekja ecin në teh shpate”(faqe. 32), “Njeriu nuk lind me trimërinë e as me frikën. Atë e merr rrugës”(faqe. 33).

Në rrëfimin e Ollurit rëndësi ka thjeshtësia dhe ruajtja e rrëfimit në vetën e dytë. Rrëfimi i tij është si ca punime të gdhendura e të lëmuara druri. Me romanin “Bartës i shpirtrave të përzënë “, Olluri doli shumë i zoti sepse ka arritur të futet deri në skutat më të fshehta të shpirtit të njeriut dhe ka hipur në maje si poet i trajtimit të temës së luftës.