Shkruan: Flogerta Krypi, autore
E kam të vështirë të zgjohem çdo mëngjes pasi gjumi më zë shumë vonë, ndonëse heshtja dhe lotët më lodhin çdo natë. Unë jetoj në një vend shumë larg Kabulit, por jam qytetare e tij. Vendi ku unë jetoj është më i vogël se Kabuli, por mban të njëjtën burgosje si ai. Nuk jemi në luftë, por pluhuri është njëlloj sikur bombat të bien për të shkaktuar atë zhurmën e shurdhë të injorancës. Këtu bien bombat e lirisë që arrijnë deri tek gardhi i fqinjëve te mi.
Unë jetoj në Kabulin ku uji rrjedh nga çdo burim i nëntokës, por sërish ai vjen dy orë në ditë. Të gjithë luftëtarët e shtëpisë time vrapojnë për të mbushur enët, për të ujitur ato pak pemë të gjalla e për të pastruar fizikun e tyre. I tillë është Kabuli im. Ne kemi një rrugë kryesore që përpara disa dekadash Italianët e ndërtuan për të vjedhur miniraret e nëntokës time. Lufta jonë i perzuri dhe rruga na mbeti po neve, por ato rrugë mbanin erën e shpifur të maceve të ngordhura apo dhe qeseve me mbeturina.
Banjot tona nuk kanë një tunel për t’u derdhur atje ku duhet dhe derdhen në lumin tonë “Lanë”. Ai është ashtu siç mbart emrin “i lanë” (sipas dialektit tim). Në Kabulin tim ka gardhe gjithandej. Secili është mbret në çadrën me tulla që ka ndërtuar. Nëse e prek gardhin e tyre, një bombë shpërthen. Ke shkelur kufirin e një të forti. Kabuli im është një lagje gangsterësh që ushqehen me fara, luajnë bilardo, pijnë ndonje dopio raki (pije tradicionale kjo) dhe vizitojnë të njëjtin perimetër sigurie, duke ruajtur për të huajt që mund të shkelin territorin.
Në rrugën kryesore të lagjes time kryeministri i vendit tim kalon me shtatë makina sigurie, por si për çudi asnjëherë nuk i ndjen gropat e rrugës, poshtë asaj që kanë ndërtuar italianet. Në të njëjtën rrugë kalon dhe nje hekurishte që banorët e Kabulit e quajnë autobuzi i Uzinës së Traktorit. Është një rrangalle që përplaset në çdo dhjetë metra rrugë, e pisët, me buburreca, pluhur gjithandej dhe njerëz që ngjiten me njeri tjetrin nga djersa e tyre. Ajo rrangalle brenda njëzetepesë miniutash të çon në qendër të Kabulit që kohët e fundit ka filluar të lustrohet.
Po prapë është i pisët, prapë ka shenja të burgosjes. Kabuli im nuk është në luftë, por qytetarët nuk janë në paqe e nuk kanë as drejtësi. Kabuli im nuk ka ndërgjegje e kjo bën që të mos ketë as liri. Në këtë Kabul mësova se ferri është i bardhë si muri i dhomës time. E dini. Kam menduar gjithmonë që niveli i demokracisë në një vend matet nga rapoti i çmimit të librit me atë të pagës. Në Kabulin tim një libër kushton sa një ditë e gjysëm punë. Ndaj ne jemi thuajse të gjithë injorantë.
Ne na shpërndajnë dhe shesin injorancë. Une jam qytetare e Kabulit, por nuk kam qenë kurrë atje, madje as nuk e di ku është tamam në hartë. Di vetëm që atje bëhet luftë dhe njerezit vdesin. Unë jetoj në Kabul, jam një grua. Nuk kam qenë kurrë vajzë. Kam lindur grua se në këtë qytet që unë e quaj Kabul femrat quhen gra që kur lindin. Nevoja e tyre matet me sa fëmijë lind dhe sa pune shtëpie bën, por në fund të ditës ti je një grua dhe gratë në Kabul e kanë trupin dhe shpirtin të përdorur.
Të gjitha tregohen me gisht nga ata që i kanë përdorur si skllave pune, shtëpie apo dëshire. Unë jam qytetare e Kabulit, nuk mund të them me shumë se kaq. Arma që kam në kokë (morali shoqëror) me urdhëron të ndaloj shkrimin. Mos e vizitoni Kabulin se po e vizituat do të jeni dhe ju qytetare të tij. Kabuli nuk jep kurrë, ai rrëmben, torturon dhe vret. Une jam qytetare e Kabulit. Rrezikoj të vritem nëse kaloj gardhin tim, nëse jap mendimin tim, nëse them të vërtetën, nëse zbatoj ligjin, nëse hedh mbeturinat në kosh, nëse ngre zerin për të drejtat e mia, nëse kërkoj lirinë, nëse dashuroj, nëse dal, nëse besoj.
Unë jam qytetare e Kabulit, mos më kërkoni t’iu jap më shumë shpjegime sepse nuk i kam, mjaftohuni me kaq për sot. Mos e vizitoni Kabulin tim, thjesht lexoni për të..