UT organizoi mbledhje përkujtimore për albanologun Robert Elsie

UT organizoi mbledhje përkujtimore për albanologun Robert Elsie

Me rastin e ndarjes nga jeta të albanologut të njohur Robert Elsie, në nderim të jetës dhe veprës së tij, Universiteti i Tetovës organizoi mbledhje përkujtimore.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar profesorëve dhe studentëve të Universitetit, tha se albanologu, shkencëtari dhe studiuesi që bëri epokë, Robert Elsie, do t’na mungojë të gjithëve, në veçanti studiuesve dhe dashamirëve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

“Kur ik një njeri i ditur shuhet edhe një bibliotekë. Me ikjen e albanologut të shquar Robert Elsie u shua një bibliotekë, e cila pritej që të plotësohej edhe me shumë libra të çmuar, që neve dhe botës do t’ia zbulonin vlerat tona të harruara. Ne e ndjejmë thellësisht humbjen e dijetarit të shquar “, tha Ameti.

Për kontributin e albanologut Robert Elsie në kulturën dhe historiografinë shqiptare foli dekani i Fakultetit Filologjik të UT-së, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani. Ai, në fjalën e tij vuri në dukje se Robert Elsie la pas vetes thesare të çmueshme për historinë e letërsisë sonë, ndaj do të mbetet burim frymëzimi për brezat, si model i përkryer i studiuesit dhe shkencëtarit.

Të pranishmit në këtë mbledhje komemorative patën mundësi që të shkruajnë kujtimet e tyre për Robert Elsien në librin e zisë.