POÇARI
Vajta në Stamboll të bëja pazar,
Për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam o usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate….
Vazoja nga dora më shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë.
Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë.
Mos u çmend ky turk, ky qerata?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjeter mori në dyqan
Dhe më tha: ” Më shaj, për besë, prapë!”
Psheretiu si unë tha: ” Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Ikën nga dyqani burra e gra,
Unë e një poçar e tjetër s’kishte,
Vazot frynte deti Marmara,
Vazove poçari shqip u fliste !
-Dritëro Agolli-