Vajza e Dritero Agollit u pergjigjet akuzave se ai bashkepunoi me komunizmin

Vajza e Dritero Agollit u pergjigjet akuzave se ai bashkepunoi me komunizmin

Debatit dhe  akuzave të rënda që erdhën pas vdekjes së shkrimtari Dritëro Agolli, u është përgjigjur sot vajza e tij, Elona Agolli.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në FaceBook, ka publikuar një pjesë nga vepra e Dritëroit, “Teshtimat e lirisë”, në të cilën ai shkruan për keqtrajtimin e poetëve e shkrimtarëve në vitet e diktaturës, shkruan Panorama.al.

Nga “Teshtimat e lirisë” fq 861, 862 .

“Në hetuesi poetin Visar Zhiti e kanë pyetur :ç’lidhje dhe ç’ke të bësh me Dritëro Agollin dhe ç’ke biseduar me të?”, pasi unë ndërhyra në prokurori për të dhe nuk e ndihmova dot.

Në komitetin e partisë së Lushnjës kam ndërhyrë për Faslli Halitin e Bujar Xhaferrin. Në komitetin e partisë të Tiranës, Ersekës, Korçës , Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës , Librazhdit, Kukësit dhe në KQ të Partisë dhe në atë të Rinisë unë kam protestuar për sjelljen e keqe ndaj Bujar Lakos, Sadik Bejkos, Bujar Kapexhiut, Dhori Qiriazit, Valter Files, Skënder Rusit, Preç Zogajt, Rudolf Markut, Dodë Kaçajt, Koçi Petritit, Lazër Stanit, Jorgo Bllacit e të tjerëve , pa numëruar ata letrarë te shumtë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë të ndihmuar për të ndjekur studimet e larta , me mesatare dhe pa mesatare , me biografi të mirë apo me cene në biografi.

Në një darkë të gjerë në Fier , me zë të lartë i kam thënë Pali Miskës , atëherë sekretar i parë i komitetit të partisë së rrethit dhe anëtar i Byrosë Politike : “Ju e përdorni shkrimtarin e talentuar Pëllumb Kulla si argat dhe ne do të bëjmë çmos për t’ua marrë nga Fieri !”.

Atje ishte prezent e gjithë trupa e teatrit të qytetit. Për ndalimin e veprave të Xh. Spahiut , K. Kostës, M. Ahmetit kam shkuar ne KQ të Partisë për t’u ankuar . Po kështu dhe për keqtrajtimin e Mehmet Myftiut dhe Vehbi Skënderit .

E kam mbrojtur dhe e kam nxitur për ta botuar romanin “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë , që ishte bllokuar për disa vjet , para Foto Çamit , sekretar i KQ , duke i kundërshtuar ata që ishin kundër botimit në prezencë të autorit . Ndërgjegjen e kam të pastër..”.

Dritëro Agolli

Teksa publikon një poezi të Dritëroit të 1995, Elona gjithashtu u kujton të gjithëve, përgjigjen e tij. “Ai është dokument historie, e nga ajo askush nuk e ndan”. statusi ne Facebook

Dokument historie

Me tërë ekzistencën time­rinie dhe pleqërie

Material kompromentimi nuk jam,

Jam dokument historie,

Nga historia askush nuk më ndan.

I tillë do futem në shekullin tjetër,

I tëri do jem material njerëzor:

I ri dhe i vjetër,

Djall dhe shënjtor…

Janar, 1995

Dritëro Agolli