Varrezat afrikano-amerikane fshehin të dhëna për periudhën e skllavërisë

400 vjet më parë në koloninë e Virxhinias u sollën skllevërit e parë afrikanë. Gushti i vitit 1619 shënoi fillimin e historisë afro 250 vjeçare të skllavërisë në Amerikë, që tani njihet si “mëkati i parë i Amerikës”. Zëri i Amerikës njofton se si disa afrikano-amerikanë po përpiqen të ruajnë historinë e të parëve si një mënyrë për të kuptuar më mirë kontributin e tyre në Amerikë.

Varrezat afrikano-amerikane fshehin të dhëna për periudhën e skllavërisë

Në një cep të një lagjeje në qytetin historik Hampton të Virxhinias ndodhet një varrezë që ka gjasa të jetë varreza e parë afrikano-amerikane në territorin që sot përbën Shtetet e Bashkuara. Nëse është e vërtetë, do të ishte një fakt i rëndësishëm. William Tucker, foshnja e parë afrikane e pagëzuar në territoret e kolonizuara nga anglezët në Amerikën e Veriut mund të jetë varrosur këtu.

“Kemi zbuluar se jemi me prejardhje nga rajoni i Angolës, në një përqindje të madhe. Kjo vërteton atë që besonim prej kohësh,” thotë Vincent Tucker, trashëgimtar i familjes Tucker.

Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se familja Tucker rrjedh nga Angola, vendlindja e Antonit dhe Isabelës. Djali i tyre, William, i pagëzuar me emrin e pronarit të plantacionit u lind në Virxhinia në 1624. Prindërit e tij ishin dy prej afrikanëve të parë të dokumentuar që silleshin si skllevër në koloninë angleze. Ata u sollën me anijen Luani i Bardhë.

Në qytetin Njuport të shtetit Rod Ajlend, historiani Keith Stokes kryeson përpjekjet për të ruajtur një varrezë të periudhës koloniale ku janë varrosur edhe skllevër:

“Që në vitin 1650 qyteti Njuport kishte një varrezë ku mund të varrosej kushdo, pavarësisht nga raca, klasa, etniteti. Nga viti 1705 pjesa veri-perëndimore e kësaj varreze përdorej për të varrosur vetëm skllevërit. Gjatë 100 vjetëve që pasuan, qindra e qindra gurë varri shënojnë skllevërit e varrosur. Kemi bindjen se gjatë kohës që përdorej aktivisht këtu janë varrosur rreth 3000 vetë”.

Historiani dhe familja e tij kanë rrjedhur nga disa prej afrikanëve të parë që u sollën në Tokën e Re në 1696 me anijen Sea Flower, anija e parë me skllevër që është dokumentuar në Rod Ajlend.

“Edhe njerëz të familjes sime janë varrosur këtu. Por mbi të gjitha kjo varrezë shërben për identitetin tonë afrikan. Burra e gra me prejardhje nga Afrika jetonin në të njëjtin komunitet dhe u varrosën në këtë vend. Në këtë mënyrë ndjej një lidhje direkte me historinë e komunitetit tim”.

Sot mbeten më pak se 300 varre me gurët e gdhendur me emrat e afrikanëve të hershëm dhe më pas të afrikano-amerikanëve të zonës. Historiani Stokes përpiqet t’i ruajë ato, ndërkohë që përpiqet të mësojë për banorë të hershëm si Duchess Quamino.

Vlera historike e kësaj varreze tani po bëhet më e qartë për komunitetin. Për familjen Tucker kjo varrezë shërben për të mësuar për të kaluarën e për paraardhësit, të cilët duruan shumë që të linin pas këtë histori.